FOTO/ “South Outdoor Festival”, Goro: 10 mijë pjesëmarrës do shijojnë bukuritë e Borshit

TIRANË, 21 prill/ATSH-Klotilda Saraçini/- I cilësuar si një nga fshatrat më piktoreskë të Shqipërisë së Jugut, i njohur për ujin e kristaltë, plazhin e mrekullueshëm dhe natyrën mbresëlënëse, Borshi do të mirëpresë fundjavën që vjen nga 26-29 prill “South Outdoor Festival”.

Ky festival është festa e gjithçkaje që mund të shijoni në natyrë, sport, kulturë, traditë, muzikë dhe kulinari. Vendi i festivalit do të jetë mes fushave të Groove Olive, 400 metra nga bregu, në rrugën e shtruar që të çon në det.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Aktualisht jemi në hapat e fundit dhe gjithçka është gati për festën dhe moti tregon për se do të jenë 4 ditë plotë diell për të pritur vizitorët”.

Goro shprehet se festivali në edicionin e tretë të tij do të sjellë pjesëmarrës nga vendi dhe më gjerë.

“I kthyer tashmë në traditë, festivali “South Outdoor” do të zhvendoset këtë vit në një nga fshatrat më piktoreskë të Rivierës Shqiptare, në Borsh. Festivali fton në edicionin e tij të tretë në datat 26-29 Prill pjesëmarrës nga vendi dhe më gjerë, për të përjetuar 4 ditë të mbushura me aktivitete sportive e kulturore, muzikë, traditë, natyrë dhe kuzhinë tipike shqiptare”, – nënvizon Goro.

Duke folur për veçoritë e këtij fshati, Goro thotë se “Borshi shquhet për mikpritjen dhe potencialin agro-turistik, historinë, kështjellën mbi kodër, ullishtet dhe prodhimin e vajit”.

Sipas tij, vendndodhja kryesore e festivalit do të jetë mes ullishteve të Borshit, rreth 400 m nga bregu i detit.

Këtë viti, vijon Goro, në festival do të marrin pjesë rreth 8.000-10.000 pjesëmarrës, të cilët përveç aktiviteteve sportive do të kenë mundësinë të shijojnë gatimet tradicionale dhe bukuritë që ofron fshati i bukur i Borshit.

Në festivali do të ketë më shumë se 40 aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore, gjatë 3 ditëve të tij.

“Përveç aktiviteteve tradicionale sportive do të kemi edhe shume surpriza të tjera për pjesëmarrësit në festival”, tha Goro.

Kreu i bashkisë së Himarës u shpreh se “gjatë ditëve do të zhvillohen mjaft forume tematike si Forumi 100 fshatrat, diskutime të organizuara me sektorin privat dhe përfaqësues të qeverisë mbi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”.

“Nuk do të mungojnë panairi i produkteve lokale dhe artizanit, ndërsa një tjetër ekspozitë me ushqime të zonës do të zhvillohet ditën e dielë, me rastin e festimeve të Pashkës. Mbrëmjet do të vijojnë me një maratonë me performanca muzikore live. Artistët pjesëmarrës janë grupi legjendar “Elita 5”, Alban Nimani, “All in Band”, Venera Lumani dhe Lindi Islami si dhe Urban Band”, – tha Goro.

Duke folur për risitë e këtij festivali, Goro veçon aktivitetet që do të zhvillohen në natyrë.
“Përveç aktiviteteve që janë zhvilluar edhe në edicionet e tjera, ky vit rezervon më shumë adrenalinë për pjesëmarrësit me aktivitete të reja si: Hot Air Balloon, Trike Flying, Gara Stand Up Paddling, Sailing, Paddleboard Yoga si dhe Individual Stand Up Paddling. Hiking në shtegun e luleve Viola është një tjetër risi, ndërsa aktivitetet Flyboard dhe Jetpack do ta bëjnë eksperiencën e pjesëmarrësve akoma më të paharrueshme”, – nënvizoi Goro.

Ai shprehet se ky është aktiviteti më i madh që zhvillohet në jugun e Shqipërisë dhe me këtë aktivitet bëhet dhe hapja zyrtare e turizmit për bashkinë Himarë.

I pyetur për potencialet e tjera që ofron Borshi, përveç ujit të kristaltë dhe plazheve mahnitëse, Goro thotë se “Borshi është një nga fshatrat me potenciale më të mëdha turistike, ku përveç plazhit ofron dhe shume atraksione të tjera si : Ture kulturore, kalanë historike të Sopitit, natyrën e bukur, kuzhinën e pasur tradicionale, vajin e ullirit bio dhe agrumet”.

Borshi është një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë së Jugut dhe është shumë i njohur për fushat e ullishtave, prodhimin e vajit të ulliri,t si dhe për plazhin e gjerë (7 km të gjatë) të krijuar nga delta e lumit.

Borshi gjithashtu karakterizohet nga një diversitet i jashtëzakonshëm gjeologjik, një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme që e bën atë ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion perfekt turistik.

Një koleksion i mrekullueshëm i talenteve muzikore, me akte dhe skena shumë më të mira se shumica e festivaleve të lirë, do të performojnë çdo ditë, ndërsa birra, vera dhe shitësit e ushqimeve do të jenë në dispozicion për të gjithë pjesëmarrësit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.