“Bëjmë detyrat e shtëpisë”, Gjylameti: Vendosëm standarde në arsim

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Programi “Të bëjmë detyrat e shtëpisë” në shkollën “Ramazan Jarani” në Njësinë 4, në Tiranë, shënon një tjetër standard në arsim.

Kështu u shpreh sot, deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Blerina Gjylameti, ndërsa iu referua vizitës së fundit të ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në shkollën “Ramazan Jarani”.

Gjylameti nënvizoi reformat e qeverisë në arsim dhe punën e vendosur që po bëhet në këtë sektor të rëndësishëm.

“Vazhdojmë projektin e madh të Shqipërisë që duam në çdo fushë, me vëmendjen e veçantë tek njerëzit e zakonshëm”, tha Gjylameti.

Prej gati një viti, në katër shkollat e kryeqytetit po vihet në zbatim projekti “Bëjmë detyrat e shtëpisë” ku nxënësve nga mosha 6-15 vjeç u ofrohet ushqim dhe kujdes deri në orën 17:00 pasdite.

Fëmijët pas procesit mësimor konsumojnë ushqimin, më pas zhvillojnë aktivitete argëtuese dhe më pas rikthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë.

Aktivitetet pas shkolle janë hartuar nga ekspertë të kurrikulës në bazë të moshës së fëmijës, pra çdo fashë moshe kanë aktivitetet e dedikuara për të. Ndërkaq, për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 4 shkollat pjesë të projektit, ushqimi financohet 100% nga bashkia Tiranë.

/m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.