Kosovë/Besimtarët katolikë festojnë Pashkët, mesha qendrore mbahet në katedralen Shën Nënë Tereza

PRISHTINE, 20 prill/ATSH/- Sonte në mbrëmje besimtarët e krishterë kremtojnë Pashkët, një festë që përkujton ringjalljen e Krishtit.

Në Kosovë, mesha qendrore e Pashkëve, do të kremtohet në katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë në ora 21:00, të cilës do t’i prijë Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji.

Në mbarim të meshës, do të ndahen vezë të pashkëve për fëmijë dhe të pranishëm.

Ndërsa të dielën Imzot Dodë Gjergji, do të kremtojë meshën e ditës së Pashkëve në katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren, në ora 11:00. Në të njëjtën orë, meshë do të mbahet edhe në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Po nesër prej orës 18:00 do të mbahet mesha në kishën e Shën Ndout në Ulpianë në Prishtinë.

Nesër do të bëhet edhe pritja solemne e Pashkëve nga ora 19:00 deri në ora 20:00 në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet poshtë Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, e që organizohet nga Imzot Dodë Gjergji./KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.