Këshilli i Ambasadorëve: Vendimi i parlamentit holandez dëmton imazhin e vendit

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë deklaron se votimi i parlamentit holandez për fillimin e procedurave për rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në hapësirën Shengen, dëmton rëndë imazhin e vendit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se “ky vendim dëmton rëndë interesat e shtetasve shqiptarë dhe imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë dhe në botë. Ai mund të shërbejë si një argument shtesë për të gjitha ato forca politike evropiane që, për arsye e motive të ndryshme, kundërshtojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Kjo ngjarje duhet të alarmojë të gjithë strukturat zyrtare shqiptare, për të adresuar sa më parë dëmin e madh të krijuar.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh gjithashtu besimin se Komisioni Evropian, si instanca përfundimtare vendimmarrëse do të refuzojë këtë propozim dhe do t’i përmbahet konkluzioneve të Raportit të tij të muajit dhjetor 2018, ku pohon se Shqipëria i përmbush kriteret për vazhdimin e regjimit pa viza për qytetarët shqiptarë në Hapësirën Shengen.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon se marrja e sinjalit pozitiv në muajin qershor për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE është dhe mbetet përparësia madhore, në interes të vendit dhe të vetë BE-së.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.