Integrimi në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor: Me rëndësi bashkëpunimi për paqe dhe stabilitet

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Vendet e Ballkanit Perëndimor theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë në rajon, me qëllim integrimin në Bashkimin Europian.

Kjo u konfirmua në takimin XV të COSAP (Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin/Çështjet Europiane të vendeve në procesin e Stabilizim-Asociimit të Europës Juglindore), i cili zhvilloi punimet në Beograd, Serbi.

Shqipëria përfaqësohej në këtë takim me përfaqësues të Komisionit për Integrimin Europian të kryesuar nga nënkryetarja Senida Mesi. Po ashtu, në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, si vend organizator.

Mesi informoi se “në takim u diskutuan çështje që lidhen me sfidat e vendeve në procesin e integrimit europian, bashkëpunimi ndërparlamentar në të gjitha nivelet si dhe përforcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me shoqërinë civile”.

Ajo theksoi se të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë shumë në drejtim të proceseve integruese. “Historia e vendeve tona duhet të na shërbejë si mësim me qëllim që të punojmë së bashku duke lënë mënjanë problemet dhe duke punuar për mirëqenien e vendeve tona. Dimensioni politik i procesit të integrimit në BE duhet të jetë në funksion të dimensionit njerëzor, social dhe ekonomik”, – tha ajo.

Bazuar në rregulloren e COSAP, takimi XVI do të mbahet në Shqipëri, sipas presidencës së radhës. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.