Hajdari: Vendimi i parlamentit holandez shqetësues, mund të ketë efekt zinxhir

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Deputetja e opozitës Rudina Hajdari replikoi sot me Kryeministrin Edi Rama në lidhje me votimin në parlamentin holandez për rikthimin e vizave me Shqipërinë.

Hajdari tha se, ky vendim është shqetësues, pasi mund të ketë ardhur nga disa parti holandeze që mund të jenë ekstremi i djathtë, por votuan pro 102 deputetë.

“Më takon të bëj replikë meqë jam kryetare e grupit demokrat. Rama ia hedh fajin opozitës jashtë sallës për vendimin e Holandës, por edhe kriteret që duhet të përmbushë kjo qeveri. Ky vendim është shqetësues, pasi mund të ketë ardhur nga disa parti holandeze që mund të jenë ekstremi i djathtë, por votuan pro 102 deputetë”, tha Hajdari.

Ajo theksoi se, “duke ditur procesin e integrimit europian, si do të jemi ne në gjendje që t’i mbushim mendjen Holandës për të mos votuar kundër hapjes së negociatave”.

Hajdari u shpreh se ky vendim mund të shkojë zinxhir në vende të tjera.

“Me dëshirën si opozitë që të hapim negociatat, më duket se ky vendim i parlamentit holandez është shqetësues. Kemi një lëvizje brenda BE-së që është kundër zgjerimit dhe ky vendim mund të shkojë zinxhirë në vende të tjera, Franca, Danimarka apo të tjera. Uroj që kjo gjë mos të ndodhë”, – tha ajo.

Hajdari gjithashtu i rekomandoi qeverisë që të ketë një strategji për shqetësimet që shfaqin vendet e BE-së për shqiptarët.

Përsa i përket reformës zgjedhore, Hajdari tha se, “unë dhe grupi parlamentar duam të kemi një diskutim të hapur për ndryshimin e sistemit, pasi ndryshimi Kushtetues në 2008 solli degradimin e lirisë dhe demokracisë”.

“Ndoshta ju nuk jeni dakord, e kuptoj hallin tuaj, por unë jam dakord me ju që duhet të implementojmë raportin e OSBE-së. Grupi demokrat do të ketë propozimet e qarta, do të kemi një paketë të qartë. Do të kemi ndryshime për Kodin Zgjedhor, depolitizimit të administratës zgjedhore dhe shumë të tjera dhe adresimin e shitblerjes së votës. Duam që ta kurorëzojmë me ndryshimin e sistemit. Ne jemi dakord që të shqyrtojmë sistemin si mazhoritar të pastër, apo proporcional me lista të hapura”, – tha Hajdari.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.