FUTBOLL – Van Dijk: Nuk e kam idenë si do ta ndaloj Mesin

TIRANË, 18 prill/ATSH/ – Argjentinasi Lionel Mesi “tremb” pothuajse të gjithë kundërshtarët me formën e tij fantastike që po kalon, duke e treguar qartazi në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër “Mançester Junajtid”, ku dhuroi spektakël për të pranishmit.

Në ndeshjet gjysmëfinale “Barcelona” do të përballet me “Liverpulin”, ku mbrojtësit e skuadrës angleze do të bëjnë gjithçka për të frenuar “pleshtin”.

Njëri prej tyre është dhe blerja më e kushtueshme në repartin e mbrojtjes, holandezi Van Dijk, i cili gjatë një konference për shtyp u pyet se si do ta ndalte Mesin në ndeshjen që do të zhvillohet për fazën gjysmëfinale.

Van Dijk u shpreh se: “Nuk kam as idenë më të vogël. Të gjithë duhet të provojmë ta ndalim. E vetmja mënyrë për t’u mbrojtur mirë, është që ta bëjmë të gjithë së bashku. Do të jetë e vështirë për ta ndalur, pasi është një nga lojtarët më të mirë në botë”, – u shpreh ai për Viasport Football.

“Barcelona” do të përballet me “Liverpulin” në datën 7 maj, për të siguruar një biletë për në finalen e Ligës së Kampionëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.