FOTO/ Parku i Orikut, thesari i zbulimeve arkeologjike atraksion për brezin e ri

TIRANË, 18 prill/ATSH/- Një festë e bukur sot në Orik, në parkun arkeologjik me shumë histori antikiteti, kulturore dhe gjeografike të hapësirës që lag Adriatiku.

Në ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës dhe Siteve Arkeologjike, nxënës të shkollave “Halim Xhelo”, “Elite” dhe Tregtare, krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme dhe tepër mbresëlënëse.

Mjediset plot gjelbërim e hijeshi të Parkut, përjetuan një atmosferë nga më të hareshmet të ndodhura në mjediset e tij.

Aktivitetit iu bashkëngjit natyrshëm edhe pjesëmarrja e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Mark Dashi”, Fier, të cilët, pikërisht në këtë ditë, kishin programuar mësimin e hapur në këtë aset historik e turistik.

Në fund të aktivitetit, për shkollat pjesëmarrëse, nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë u shpërndanë certifikatat: “Miku i Monumentit”.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl p.e.r., në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.