Deputetët me deklaratë të përbashkët për vendimin e parlamentit holandez

TIRANË, 18 prill /ATSH/ – Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla mirëpriti sot propozimin e deputetëve të opozitës për një deklaratë të përbashkët ndaj vendimit të parlamentit holandez për rivendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë.

“E mirëpres propozimin për një deklaratë të përbashkët të të gjithë deputetëve pa dallime politike si në funksion të një qëndrimi të përbashkët lidhur me një prirje denigruese ndaj shqiptarëve në Holandë, po të kemi parasysh gjithë atë arsyetim që në fakt e bëri kryeministri dhe unë nuk do të ndalesha shumë. Pasi asnjë prej argumenteve mbi të cilët “frenat e dorës” që mund të përdorë njëri prej vendeve anëtare në kuadër të lëvizjes së lirë të njerëzve brenda BE nuk plotësohet”, – tha Balla.

Balla u shpreh se, “shqiptarët kurrsesi nuk janë problemi i kriminalitetit në Holandë sepse po të ishte e tillë, holandezët në radhë të parë duhet të kërkonin përjashtimin e Polonisë nga BE, sepse janë 20 herë më shumë akte kriminale të polakëve në Holandë gjatë vitit të shkuar apo të rumunëve dhe bullgarëve. Doja të ndaja dhe një shifër tjetër. Janë 20 akte kriminale me armë gjatë tre muajve të parë të këtij viti në Holandë dhe në asnjërin prej këtyre rasteve nuk ka një qytetar shqiptarë të përfshirë”.

Megjithatë, vijoi Balla, “besoj se biem të gjithë dakord që kjo është pjesë e një diskursi politik dhe retorike politike që paraprin zgjedhjet e 26 majit në Holandë. Nga data 23 deri 26 maj në shumë vende zhvillohen zgjedhjet europiane. Ndoshta rastësia e bën që të jetë 26 maj, sepse shqiptarët kanë një kujtim të keq për 26 majin e 1996. Por për fat të keq shumë parti politike në Holandë kanë rënë pjesë e këtij diskursi nacionalist, populist që për fat të keq mundohen që problematikat e veta të brendshme t’i qajnë tek shqiptarët”.

“Unë i bashkohem asaj keqardhje që shprehu Kryeministri për korin e turpshëm të Lulit dhe Monikës, të cilët në një moment të tillë, të ndryshëm nga ju, zgjodhën të bëhen pjesë e atyre që shajnë dhe hedhin baltë mbi Shqipërinë. I mirëpritur propozimi juaj le të kemi një deklaratë të përbashkët, nuk ka nevojë të bëjmë edhe ne rezolutë, sepse nuk do të ishte e mirë përgjigja me të njëjtën monedhë apo me të njëjtën formë”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.