Ruçi: Integrimi Europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor, vlerë e shtuar për BE-në

TIRANË, 13 prill /ATSH/ – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti sot delegacionin e Grupit të Miqësisë me Shqipërinë, të Senatit të Francës, të kryesuar nga Kryetari i tij, Senatori Rachel Mazuir. Kryetari i Kuvendit u shprehu senatorëve francezë keqardhjen për aksidentin e djegies së Katedrales së Notre Dame në Paris dhe nënvizoi se populli shqiptar e ka përjetuar këtë ngjarje të rëndë me të njëjtën dhimbje si edhe populli francez, dhe shprehu besimin se Katedralja, ky simbol i Francës dhe qytetërimit, do të rindërtohet po aq e bukur sa ishte. Gramoz Ruçi informoi senatorët francezë mbi ecurinë e plotësimit nga Shqipëria të rekomandimeve të Këshillit Europian për hapjen e negociatave, sipas pesë prioriteteve kyçe, duke u ndalur edhe në plotësimin e objektivave e masave të Planit të Veprimit të Kuvendit për hapjen e negociatave.

Ai nënvizoi se “Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është një problem më shumë, por një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian, sidomos në kushtet kur rajoni ynë po kërcënohet nga forca me tendencë antieuropiane”. Të gjithë duhet të punojmë që keqkuptimet e politikanëve francezë për Shqipërinë të eleminohen sepse ato nuk u përgjigjen vlerësimeve reciproke që të dy popujt tanë kanë për njeri-tjetrin. Franca ka qenë dhe është për shqiptarët një ndër vendet më të dashura e më të respektuara të Bashkimit Europian. Populli shqiptar ka një adhurim të veçantë për popullin francez dhe meriton të njëjtin respekt.

Kryetari i Grupit të Miqësisë, Senatori Mazuir, nënvizoi se “Ne jemi te bindur se integrimin e Shqipërisë në BE është një aspiratë e të gjithë shqiptarëve. Grupi i Miqësisë po punon dhe po lobohet që Franca, si pjesë e gjerdanit themelues të BE-së, të ndryshojë e përmirësojë imazhin për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke nxjerrë në pah vlerat e vërteta të spikatura të popullit shqiptar. Ne synojmë dhe po kontribuojmë që vlerësimet e institucioneve franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët të bazohen dhe të reflektojnë vlerësimet reale reciproke të të dy popujve tanë për njeri-tjetrin”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.