Kolaudonin automjete jashtë standardeve, ndjekje penale për tre persona

TIRANË, 17 prill/ATSH/- Specialistët e Seksionit kundër krimit Ekonomiko – Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, nga informacionet e siguruara në rrugë policore dhe mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se tek pika e kolaudimit në Laç kaloheshin makina jashtë standardeve teknike kundrejt ryshfetit, në vitin 2018 kanë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin materiale hetimore.

Mbi bazën e atyre materialeve, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për ndjekje të mëtejshme të këtij rasti, i cili është finalizuar sot me operacionin “Kolaudimi” ku janë ekzekutuar urdhrat e masave të sigurisë në ngarkim të shtetasve: S.K. vjeç 22, banues në Mamurras, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; M.K. vjeç 50, banues në Mamurras, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; I.D. vjeç 49, banues në Lezhë, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

U shpallën në kërkim dhe punohet për kapjen e tyre: D.A. vjeç 47, banues në Laç, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Gj.A. vjeç 33, banues në Lezhë, me detyrë Inspektor i Kontrollit Teknik tek SGS Laç, me masë sigurimi “Arrest me burg” për veprën penale ” Shpërdorim detyre”.

Masat e sigurisë janë dhënë nga Gjykata e Shkallës Parë Kurbin datë 16.04.2019, ndaj këtyre shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet jashtë standardeve teknike, i kaluar në kolaudim pa probleme, dyshuar kundrejt ryshfetit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.