Cakaj: Vendimi për heqjen e liberalizimit të vizave, i pamundur

TIRANË, 17 prill/ATSH-Maela Marini/ “Të gjitha të dhënat tregojnë se vendimi për tërheqjen e liberalizimit të vizave është i pamundur”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndërsa e konsideroi vendimin e parlamentit holandez “një fenomen të izoluar”.

I ftuar në një studio televizive, Cakaj tha se “nuk ka tërheqje të liberalizimit të vizave për shqiptarët”, ndërsa deklaroi se e sheh vendimin e parlamentit holandez si “një fenomen të izoluar, më tepër sesa si proces në zgjerim e sipër e të pakthyeshëm”.

“Ne presim që në rast të procesimit të çështjes nga qeveria holandeze, Komisioni Europian do të japë një përgjigje negative për kërkesën e parlamentit holandez, për heqjen e liberalizimit të vizave për Shqipërinë”, – tha Cakaj.

Sipas Cakajt, “ky është një vendim i motivuar politikisht, që vjen si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rezultatit të zgjedhjeve të fundit rajonale në Holandë, ku ka pasur një rritje të forcave populiste euroskeptike dhe me qasje përjashtuese sa i përket emigracionit”.

Po ashtu, sipas tij, “vendimi duhet të kuptohet në dritën e prirjeve të reja që po shfaqen për shkak të zgjedhjeve për Parlamentin Europian në muajin maj”.

“Ky nuk është një vendim për tërheqjen e vizave për shqiptarët, por është një mocion i parlamentit që i propozon qeverisë marrjen e masave për rikthim të vizave, dhe qeveria detyrohet t’i drejtohet Komisionit për të trajtuar disa faktorë esencialë nëse shqiptarët meritojnë heqjen e vizave”, – tha Cakaj.

Faktorët që duhet të trajtohen në një rast të tillë, sipas Cakajt, janë: 1. Rritja substanciale dhe e qëndrueshme e kërkesave ose e imigracionit të parregullt; 2. Rritja e qëndrueshme e kërkesave për azil; 3. Prapakthim në bashkëpunim për çështje të kthimit; 4. Cenimi i sigurisë publike të shteteve anëtare të BE-së; 5. Prapakthim në përmbushjen e kushteve që kanë qenë të nevojshme për liberalizimin e vizave.

Sa i përket kushtit të pestë, Cakaj theksoi faktin se Komisioni Europian në dhjetor të vitit të kaluar ka konstatuar se të gjitha kushtet për të merituar liberalizimin e vizave janë përmbushur.

“Sa i takon katër kushteve të tjera, duhet të jemi të qartë se sipas të dhënave të marra nga vetë autoritetet e sigurisë holandeze, asnjë prej kritereve nuk është përmbushur. Ky nuk është thjesht një qëndrim personal i imi, ose një pozicion politik i qeverisë, pasi vetë Ministri për Çështjet e Sigurisë dhe Drejtësisë, në seancën që u mor ky vendim, tregoi se nga pikëpamja e kushteve teknike, një vendim i tillë është krejtësisht ilegjitim”.

Cakaj tha se “një vendim i tillë nuk duhet ta cenojë bashkëpunimin strategjik politik gjithëpërfshirës mes Shqipërisë dhe Holandës”. “Kjo është një çështje e padiskutueshme. Çështjeve politike të diskutueshme duhet t’u përgjigjemi me argumente teknike”, – shtoi ai.

Por, sipas Cakajt, edhe pse tërheqja e liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk duket e mundur, ne duhet të kemi në konsideratë nëse një perceptim i tillë do të ndikojë vendimin e qershorit për hapjen e negociatave.

“Këtu duhet të kemi parasysh dy faktorë shtesë rrethanorë. Faktori i parë ka të bëjë me mbarimin e zgjedhjeve europiane, ku do të kemi një klimë krejtësisht tjetër meqenëse qëndrimet politike nuk do të artikulohen nga agresioni elektoral, por më tepër do të jenë të motivuara racionalisht. Faktori i dytë ka të bëjë me publikimin e raportit të progresit nga Komisioni që pritet në fund të majit”, – tha ai.

Cakaj theksoi se “sipas të gjitha të dhënave që ne kemi, presim një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë këtë vit”.

“Sfida jonë kryesore do të jetë që vlerësimi teknik i Komisionit të shndërrohet në vullnet politik të Këshillit të Europës. Për këtë po punojmë në mënyrë intensive”, – tha ai.

I pyetur nëse ekziston mundësia që ndonjë vend tjetër të kërkojë heqjen e liberalizimit të vizave, Cakaj tha se “komunikimi me homologët europianë dhe KE-në është një praktikë rutinë e jona dhe ne nuk kemi indikacione të tilla”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.