Votimi i Holandës për vizat, MEPJ: Nuk ndryshojnë rregullat e lëvizjes drejt vendeve Shengen

TIRANË, 16 prill/ATSH/ – Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme informon shtetasit shqiptarë se votimi i Dhomës së Dytë të Përfaqësuesve në Parlamentin holandez për t’i kërkuar Bashkimit Europian inicimin e procedurës për pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave nuk i ndryshon rregullat e lëvizjes drejt vendeve Shengen.

Sipas MEPJ, shtetasit shqiptarë do të vazhdojnë të lëvizin të lirë drejt vendeve Shengen sipas praktikës të derisotme dhe duke plotësuar vetëm kushtet aktualisht në fuqi.

“Një shtet anëtar i BE mund t’i kërkojë Komisionit Europian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë. Gjithsesi është Komisioni Europian që do të shqyrtonte kërkesën dhe do t’i japë përgjigje asaj. Duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme është besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Europian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë”, thekson MEPJ në këtë reagim.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën gjithashtu me dije se migracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pezullimi aplikohet në rast rritje mbi 50%. Sipas saj edhe shifrat e krimit shënojnë gjithashtu ulje përmbajtësore. 

“Edhe kriteri i fundit që ka të bëjë me bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyera qoftë nga zyrtarët shqiptarë, qoftë nga ata holandezë. Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e angazhuar të vazhdojë në mënyrë intensive bashkëpunimin si me autoritetet e Mbretërisë së Vendeve të Ulta, edhe me vendet e tjera anëtare të BE për të luftuar aktivitetet e paligjshme ndërkufitare. Klima elektorale në Holandë padyshim ka ndikimin e vet, edhe pse jemi të keqardhur për futjen e Shqipërisë në axhendën e partive në garë, s’kemi asnjë dyshim në faktin se përtej horizontit të zgjedhjeve europiane faktet do të prevalojnë mbi klishetë elektorale”, thuhet në deklaratë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme u bën thirrje shtetasve shqiptarë për të respektuar plotësimin e dokumenteve të nevojshme përpara nisjes së udhëtimit drejt vendeve Shengen./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.