Zyra me Një Ndalesë, lehtësi shërbimesh për qytetarët në 13 bashki

Projekti Star II: Më shumë zyra me një ndalesë, në shërbim të qytetarëve

TIRANË, 15 prill /ATSH/ – Shërbimet e integruara publike që ofrohen tani në 13 bashki të vendit, nëpërmjet zyrave me një ndalesë, kanë lehtësuar jetën e çdo qytetari e sipërmarrësi.

Qeveria shqiptare në bashkëpunim me projektin star 2, kanë vënë në funksionim sistemin  informatik në zyrën me një ndalesë (SIZN) në 13 bashki, ndërkohë edhe në 15 bashki të tjera është përgatitur infrastruktura e nevojshme për vënien së shpejti në funksionim të këtij sistemi.

Përfaqësues nga donatorët e projektit STAR 2 inspektuan dhe panë nga afër zyrat me një ndalesë, që janë ngritur në bashkitë Belsh, Lushnjë dhe Mallakastër, të cilat iu shërbejnë qytetarëve për mbi 76 shërbime. Gjatë këtyre vizitave, ata u takuan me përfituesit e projektit dhe morën përshtypjet e tyre se si është përmirësuar cilësia e ofrimit të shërbimit me përdorimin e sistemit informatik të zyrave me një ndalesë, si dhe diskutuan mbi çështje të qeverisjes vendore.

Përfaqësuesja e PNUD-it në Shqipëri, vlerësoi punën e këtyre zyrave që ofrojnë shërbime të integruara, si një model që falë dixhitalizimit dhe standardizimit të shërbimeve publike, lehtëson jetën e qytetarëve.

Po ashtu, sipas saj, “kjo nismë ecën njëkohësisht në një linjë me axhendën dixhitale të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Si pjesë e refomës me gjenezë nga qeverisja qendrore, bashkitë po ofrojnë gjithnjë e më shumë vendosjen e sporteleve të ADISA-s në mjediset e tyre për të ofruar shërbime të institucioneve qendrore me të njëjtin standard të lartë. Shembulli i parë i bashkëvendosjes së sporteleve të shërbimit të qeverisjes qendrore dhe atyre të shërbimeve vendore është bashkia e Maliqit e ndjekur nga ajo e Belshit.

Veçoritë specifike të SIZN mundësojnë përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve administrative nga qeveritë vendore, duke reduktuar ndjeshëm kohën, distancat dhe burokracitë me të cilat duhet të përballen qytetarët. Gjithashtu, ato do të pajisin vendimmarrësit me evidencë mbi performancën, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies.

Duke filluar nga viti 2018, projekti i UNDP-së, STAR2 “Konsolidimi i Reformës Administrative dhe Territoriale” në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe bashkitë përfituese, ka avancuar me zbatimin e SIZN.

Pas një vlerësimi mbarëkombëtar mbi shërbimet e ofruara nga 61 bashki të Shqipërisë, mesatarisht 76 shërbime janë kataloguar, testuar dhe janë vënë në dispoziocion të qytetarëve. Sistemi u krijua duke u bazuar në këtë vlerësim, si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesës për shërbime cilësore publike për qytetarët. Gjithashtu, sistemi lejon shtimin e shërbimeve nga përdoruesi sipas nevojave specifike të institucionit vendor.

Projekti STAR 2 po punon për të forcuar kapacitetet institucionale dhe administrative të 61 bashkive të Shqipërisë; rritjen e efikasitetit të tyre në ofrimin e shërbimeve vendore dhe rritjen e demokracisë vendore.

STAR 2 mbështetet nga shumë partnerë ndërkombëtarë të zhvillimit përmes një mekanizmi të përbashkët financimi, ku përfshihen: Bashkimin Europian, qeveritë e Suedisë, Italisë, Zvicrës dhe USAID, UNDP dhe Qeverisë së Shqipërisë. Projekti zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.

e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.