Thaçi-Tusk: BE të marrë vendimin e vonuar për heqjen e vizave

PRISHTINË, 15 prill/ATSH/- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u takua sot në Bruksel me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, me të cilin ka biseduar për situatën politike, për perspektiven evropiane, për liberalizimin e vizave dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi e ka falënderuar presidentin Tusk për mbështetjen që BE-ja i ka dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit.

Ai ka theksuar se rajoni po vazhdon të jetë në një Status Quo të vështirë, e cila po ngadalëson shumë procese.

“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigja më e mirë ndaj këtij stagnimi”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Pas plotësimit të të gjitha kritereve, Presidenti Thaçi deklaroi se ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.