Tatimet 2019, rreth 19 miliardë lekë për rimbursimin e TVSH-së

TIRANË, 15 prill /ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka në objektiv të punës së saj edhe rimbursimin e TVSH-së për biznesin, çka do të sjellë mjaft lehtësira në të bërit biznes në Shqipëri.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) bën të ditur se objektiv i saj është që të shlyhen 1.7 miliardë lekë në muaj dhe të mos cenohet plani i rimbursimit. Ndërkohë që rreth 851 milionë lekë janë detyrimet që administratat tatimore ka për ti paguar eksportuesve për rimbursimin e TVSH-së, dhe fondi total për vitin 2019 është rreth 19 miliardë lekë.

Në 31 dhjetor të 2018 vonesa në rimbursimin e TVSH-së ishte në 6 muaj, ndërsa tani Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka përmirësuar situatën duke reduktuar afatet brenda afateve ligjore të rimbursimit të TVSH-së.

DPT është e vendosur të ndërtojë një axhendë transparente për rimbursimin e TVSH-së, për të adresuar problematikat kryesisht me ato biznese që shfaqin vështirësi për ti mbështetur ato në ripërtëritjen e tyre.

/e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.