Shqipëria U-16 fiton ndaj Bjellorusisë

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Shqipëria U-16 e drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri e ka filluar me një fitore 1-0 ndaj Bjellorusisë rrugëtimin e saj në International U-16 Tournament që po zhvillohet në Turqi. Në këtë turne kuqezinjtë do të luajnë edhe ndaj vendasve të Turqisë dhe Lituanisë.

16-vjeçarët kuqezinj zbritën në fushën e lojës me këtë formacion: Ujkaj; Abazaj; Pano; Kurbasha; Neziri; Kote; Kreka; Stafa; Halili; Bajraktari; Çereni dhe arritën një fitore me vlerë.

Në pjesën e parë është luajtur një futboll i hapur, me të dy skuadrat që kanë kërkuar portat kundërshtare. Në minutën e 39-të Shqipëria ka kaluar në avantazh me anë të Danilo Bajraktarit, që ka shënuar në portën bjelloruse pas një aksioni të rrjedhshëm të finalizuar me sukses nga mesfushori i Internacionalit. Me rezultatin 1-0 për Shqipërinë skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes. Pjesa e dytë ka qenë shumë e luftuar, me skuadrën e Beqirit që është mbrojtur shumë mirë dhe ka kërkuar të godasë kundërshtarin nëpërmjet kundërsulmeve të shpejta, të cilat nuk janë finalizuar në mënyrën më të mirë. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe debutimi në këtë turne miqësor që zhvillohet në Turqi nisi në mënyrën më të mirë.

Rrugëtimi i 16-vjeçarëve në këtë kompeticion vazhdon ditën e mërkurë, me ndeshjen që do të zhvillojnë me vendin organizator, Turqinë, në orën 16:00. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.