Pezullimi i Konit, Shahini cakton rektorin e përkohshëm

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Pas pezullimit të Mynyr Konit nga posti i rektorit të Universitetit të Tiranës, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka emëruar sot Bernard Dostin përkohësisht në këtë detyrë.

Ministria e Arsimit bën të ditur se Dosti, aktualisht zëvendësrektor në Universitetin e Tiranës, do të mbajë këtë pozicion deri në përfundim të çështjes dhe dhënies së vendimit të formës së prerë.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini pezullimin nga detyra të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni e komunikoi më 13 prill në një deklaratë për mediet, ku njoftoi edhe se i ka kërkuar Presidentit Ilir Meta të marrë vendimin për shkarkimin e tij.

Sipas Shahinit, rektori i Universitetit të Tiranës ka tejkaluar kompetencat e tij.

“Rektori i Universitetit të Tiranës nuk është mjaftuar me kompetencat akademike, por ka dashur të mbajë edhe kompetenca administrative, të cilat me ligj nuk i takojnë. Në disa raste, nuk ka lejuar organet përkatëse të ushtrojnë ato kompetenca, gjë që ka shkaktuar një betejë të hapur mes organeve udhëheqëse në Universitetin e Tiranës në dëm të procesit mësimor, cilësisë së arsimit dhe eksperiencës studentore”, tha Shahini.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.