Pacolli: Vetëm kur pranohet e vërteta, paqja mund të jetë e qëndrueshme

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, u shpreh se askush më shumë se sa SHBA si mik i përjetshëm i Kosovës, nuk solidarizohet me vuajtjet e personave që përjetuan tmerret e luftës në Kosovë.

Pacolli shkruan se e vërteta e asaj kohe, qëndron mbi çfarëdo shtrembërim të kohës.

“Vetëm kur të pranohet e vërteta, ne mund të besojmë thellë se paqja e qëndrueshme, i ka zënë vendin tendencave traumatike”, shkruan Pacolli.

Komentet e kreut të diplomacisë kosovare vijnë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave nga lufta në Kosovë.

“Gjersa Kosova përkujton 20-vjetorin e mizorive të luftës, Ambasada e SHBA-ve shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të viktimave. Të mohuarit e mizorive ofendon kujtimet për viktimat, i traumatizon familjet edhe më shumë, dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik”, thuhet ndër të tjera në deklaratë. /KosovaPress/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.