FOTO/ Rehabilitimi i lumit Zezë, nis projekti që “shpëton” nga përmbytja qytetin e Fushë-Krujës

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Lumi Zezë është një nga problemet më të mëdha që ka qyteti i Fushë-Krujës gjatë sezonit të shirave.

Kjo pasi çdo vit, lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të mëdha dhe dëme të shumta tek familjet dhe bizneset e zonës.

Nuk kanë munguar rastet, kur brenda një viti kalendarik, qyteti të jetë përmbytur 3-4 herë, e çka për banorë ishte kthyer në kërkesën kryesore ndaj institucioneve për marrjen e masave rehabilituese të shtatit të lumit.

Falë një investimi prej 441.897.654 lekë të financuara nga Qeveria shqiptare, projekti parashikon zgjerimin e shtratit të lumit, thellimin e tij, mbrojtje lumore dhe ndërtimin e një ure të re në qendër të qytetit.

Kjo për faktin, se këmbët e urës aktuale janë një nga shkaqet që uji del në qytet, si pasojë e grumbullimit të materialeve që sjell lumi, duke penguar kalimin e tyre dhe “fryrjen” e lumit.

Ky investim do të shtrihet në një gjatësi prej 5 km, duke filluar nga fshati Larushk – qytetin e Fushë-Krujës dhe përfunduar në fshatin Derven.

Për kryetarin e bashkisë Krujë, Artur Bushi, ky është një investim jetik, shumë i rëndësishëm që “shpëton” një qytet të tërë.

“Lumi Zezë ishte kthyer në një makth sa herë afrohej stina e dimrit, duke sjellë situatë tepër të vështirë për gati 850 familje dhe mbi 150 biznese të vogla, që përmbyteshin”, – tha Bushi.

Bushi shtoi se “zgjidhja e këtij problemi është njëkohësisht gëzim i madh për ne dhe premtim i mbajtur”.

Ky projekt ka nisur në muajin mars 2019 dhe pritet të përfundojë në korrik 2020. /k.s/a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.