Dekanët publikojnë shkeljet e rektorit: Vendim eficient i ministres për pezullimin e tij

TIRANË, 15 prill/ATSH/ – Një një konferencë për mediet lidhur me pezullimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, katër dekanë vlerësuan sot vendimin e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

Megjithëse, dekani i Fakultetit të Ekonomisë Dhori Kule e cilësoi një zgjidhje të vonuar dhe tërësisht ligjore, ai tha se urdhri i ministres është në respekt absolut të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Kushtetutës.

“Ministrja e Arsimit përmes urdhrit ka konfirmuar pezullimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe zëvendësimin me zëvendësrektorin Berndard Dostin. Dua ta vlerësoj këtë qëndrim në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. U bë kontroll nga ministria dhe situata e zgjidhjes së problemit është vonuar shumë. Pas një viti e gjysmë ligji më së fundi gjeti dritën jeshile, është respekt i Ligjit të Arsimit të Lartë dhe Kushtetutës”, tha Kule.

Ai tha se “konstatime të shkeljes së ligjit janë  bërë nga KLSH, gjykatat, Ministritë e tjera. U desh dhe protesta e studentëve që t’i jepte impakt pozitiv zgjidhjes së këtij problemi dhe deri më sot këtë e ka mbajtur peng politika. Komentet dhe interpretimet politike e kanë vonuar situatën dhe sot pas reagimit të studentëve. Ministrja e re e Arsimit nuk është mesa duket pjesë  e sjelljes politike, është më e ftohtë në qëndrimin ndaj ligjit, arriti të marrë një vendim të tillë eficient”.

Nga ana e tij, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha tha se “në këto vite të fundit ka pasur një problem të rëndë të administrimit institucional ku drejtimi i universitetit qenë me një mentaliteti të vjetër, të një drejtimi hierarkik pa zbatuar kompetencat dhe deklarimet kushtetuese sesi funksionon institucioni i Arsimit të Lartë i cili është autonom së jashtmi dhe së brendshmi”.

Ai shtoi se “nuk është mirë për IAL-të që të ketë ndërhyrje në administrimin  e tyre por është shumë mirë që në zbatim të autonomisë kushtetuese, ligjore, statutore nëse gjërat nuk funksionojnë siç duhet, e keqja apo paligjshmëria të ndërpritet”, – tha Hoxha, ndërsa theksoi se një nga mënyrat e parashikuara është pezullimi i drejtuesit me urdhër të ministres.

“Ministrja të shtunën ka bërë hapin e parë pasi ka verifikuar prej gati një viti paligjshmëritë e Rektorit të Universitetit të Tiranës. Hapi i dytë është ti propozojë Presidentit të Republikës shkarkimin e Rektorit. Është në vlerësimin e Presidentit nëse ai i vlerëson të tilla shkeljet njësoj si Ministri përkatës me qëllim që ai të mbajë pozicionin e tij në lidhje me shkarkimin e Rektorit nga detyra. Unë vlerësoj se sjelljet janë aq të hapura, aq të dukshme, aq të rënda sa që asnjë lloj “autonomie” nuk do ta mbronte një individ që e shkel hapur ligjin në emër të autonomisë”, deklaroi ai.

“Një nga mënyrat që ka parashikuar ligji për arsimin e lartë është që drejtuesi i një institucioni publik mund të pezullohet me urdhër të Ministrit, kur Ministri konstaton shkelje të hapura të Ligjit për Arsimin e Lartë apo legjislacionit në përgjithësi. Ka një vit e ca që është punuar për konstatimin e këtyre shkeljeve të pretenduara. Është e vonuar MAS në nxjerrjen e përfundimit final, por më mirë vonë sesa kurrë. Ajo që Ministrja ka urdhëruar nuk shkel autonominë universitare, por e garanton nga paligjshmëria dhe sjelljet e kundërligjshme. Autonomia nuk është dhënë si pavarësi në zbatimin e ligjit por garanci për zbatimin e ligjit. Zbatimi i ligjit është detyrim dhe jo vlerësim”, tha Hoxha.

Duke renditur disa prej shkeljeve të Ligjit të Arsimit të Lartë nga ana e rektorit Koni, Hoxha deklaroi se janë marrë kompetenca të administratorëve, janë nënshkruar kontrata financiare nga Rektori i Universitetit që nuk ka asnjë kompetencë në drejtim ashtu siç nuk kemi as ne dekanët një kompetencë e tillë megjithëse na është kërkuar të zëvendësojmë administratorët tanë gjë që nuk e kemi bërë. Janë marrë njerëz në punë në kundërshtim me ligjin, janë penguar funksione të rëndësishme të strukturave përbërëse të UT, janë kryer veprime të hapura në kundërshtim me ligjin sikurse raporti i fundit i MAS prej 100 faqesh tregon për veprimtarinë e Universitetit dhe në veçanti të Rektorit”.

Sipas tij, autonomia garantohet kur ata që e shkelin ligjin marrin edhe përgjegjësitë për shkeljet e tyre.

“Sot ishte një akt përgjegjësie që u mor dhe një përgjegjësi për ne për të vazhduar veprimtarinë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Ky është një veprim që do ta ndihmojë UT, i cili sot nuk ka një sistem të vetin funksional elektronik në shërbim të studentëve dhe pedagogëve dhe atyre që kërkojnë informacion për veprimtarinë e Universitet për shkak të kontradiktave që krijoheshin artificialisht. Është një sfidë e re për këtë Universitet që do ta përballojmë me dinjitet”, theksoi Hoxha.

Edmond Rapti, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale shtoi se “këto probleme që ka funksionimi dhe organizimi i Universitetit të Tiranës janë probleme që ne si dekanë i kemi bërë prezente në strukturat e rektoratit, por duke gjetur veshin e shurdhër i kemi ngritur në shtyp dhe në Ministrinë e Arsimit”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.