Vasili: U provokuam, por protesta e opozitës ishte paqësore

TIRANË, 14 prill /ATSH/- Kreu i ish grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha sot në një deklaratë për mediet se protesta e opozitës ishte paqësore.

“Provokimeve të personave të skeduar nga qeveria opozita nuk iu përgjigj, por bëri që organizatorët të bien vetë brenda. Jo më larg se dje u konsumua një akt terrorist me djegien e një makine të vendosur para protestuesve. Jam këtu që t’i kërkoj këtij ministri të pacipë që bën komente për protestuesit: kush është pronari i asaj makine? Kush i fiku dritat në të gjitha ambientet e mitingut? Ku në vend të sigurisë, fiku dritat në mënyrë që provokatorët që vunë flakën të konsumonin të qetë provokimin e tyre”, tha Vasili.

Vasili tha se ka një pyetje të madhe për ministrin Lleshaj, të cilin e cilësoi, “ministër kriminel që drejton Ministrinë e Brendshme”. KJo pyetje sipas Vasilit është se kush e dhunoi fotografin Arben Dajçi.

“Kjo është dhuna. Gjaku në këtë fotograf të pafajshëm që vetëm pasqyronte protestën. Po denoncimin e bërë nga Birn se si pa shkak gazetarët u goditën me ujë e gaz pa asnjë arsye, vetëm me frikën se do evidentonin të vërteta të mëdha”, tha Vasili.

e.xh/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.