Protesta e opozitës/ 5 policë u mjekuan në Urgjencë, u goditën në fytyrë dhe gjymtyrë

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Gjatë protestës së djeshme 11 persona janë transportuar me autoambulancat dhe ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, nga të cilët pesë punonjës policie dhe një protestues u trajtuan në spitalin universitar të Traumës nga lëndimet e marra për shkak të lëndëve plasëse. Ndërsa pesë qytetarë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

11 personat e lënduar gjatë protestës së dhunshme të opozitës kanë lënë spitalin në gjendje të stabilizuar. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila theksoi se gatishmëria e ekipeve mjekësore ishte maksimale.

“Gatishmëria e ekipeve tona mjekësore gjatë dhe pas protestës së opozitës, që precipitoi në mënyrën më të shëmtuar dhe të papërgjegjshme në dhunë ndaj forcave të rendit, ishte si çdo herë maksimale, duke trajtuar në kohë policët dhe qytetarët e lënduar”, theksoi Manastirliu.

“Dëshpërimi i atyre, që të vetmen gjuhë që njohin kanë gjuhën e shashkave dhe të vetmen alternativë, dhunën ndaj institucioneve, shkaktoi lëndime fizike mbi pesë policë, të cilët u goditën në fytyrë dhe gjymtyrë. Fatmirësisht, pa pasoja të rënda për shëndetin e tyre”, shtoi ministrja Manastirliu.

Manastirliu falënderoi të gjitha ekipet e urgjencës mjekësore paraspitalore të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe stafeve të urgjencave të QSUT dhe spitalit universitar të Traumës për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.