Vijon protesta e opozitës para parlamentit, i vënë flakën një makine

TIRANË, 13 prill/ATSH/- Protestuesit e opozitës vijojnë të qëndrojnë para parlamentit, ku kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.

Në tentativë për të thyer perimetrin e sigurisë protestuesit u përplasen me punonjësit e policisë të vendosur përpara godinës së parlamentit.

Ata kanë hedhur kapsolla, fishekzjarre, lëndë piroteknike në drejtim të policisë, kanë rrëzuar edhe gardhin metalik. Ndërkohë që protestuesit i kanë vënë zjarrin edhe një makine të parkuar pranë godinës së Kuvendit.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje për të fikur flakët.

Policia apeloi për ruajtje të qetësisë dhe mos hedhje të lëndëve piroteknike në drejtim të efektivëve.

Për shkak të situatës së tensionuar, policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Liderët e opozitës, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi, janë aty, bashkë me protestuesit dhe udhëheqin turmën vazhdimisht drejt parlamentit.

Deri tani raportohet se nga përplasjet mes policisë dhe protestuesve, janë plagosur të paktën 5 punonjës të Policisë së Shtetit, që po vijojnë të marrin ndihmën mjekësore në ambientet spitalore.

Gjithashtu, edhe disa protestues kanë përfunduar në spital, kryesisht për shkak të efektit të gazit lotsjellës./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.