FOTO/ Shkolla “18 Tetori” në Kuçovë drejt rikonstruksionit të plotë

TIRANË, 13 prill /ATSH/ – Investimet në fushën e arsimit të cilat janë një domosdoshmëri për të ardhmen e brezit të ri, po vijojnë në të gjithë vendin.

Për gjithë qytetarët e bashkisë Kuçovë, si dhe për ata të cilët frekuentojnë shkollën “18 Tetori” së shpejti do të fillojë rikonstruksioni i plotë i shkollës e cila ndodhet në lagjen “11 Janari”.

Qeveria Shqiptare miratoi shpërndarjen e financimit për projekte të reja, për grantet “Arsimi bazë”, “Arsim i mesëm”, pjesë e fondit Për Zhvillimin e Rajoneve. 

Ky projekt do të jetë një bashkëfinancim midis Qeverisë Shqiptare e cila do të mbuloj 70% të vlerës së investimit dhe bashkisë Kuçovë, e cila do të mbuloj 30% të vlerës së investimit. Projekti për ndërtimin e shkollës ”18 Tetori”, Kuçovë arrin vlerën 76,911,627 lekë në total.

Ky investim në këtë shkollë është shumë i domosdoshëm, jo vetëm për nxënësit e kësaj shkolle, por mbi të gjitha për t’i kthyer dinjitetin shkollës 9-vjeçare ”18 Tetori”, e cila mbart një emër me shumë domethënie për historinë e këtij qyteti.

/a.a/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.