Zgjedhjet vendore, nis konstituimi i KZAZ-ve

TIRANË, 12 prill/ATSH/ – Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor kanë nisur punën dhe janë konstituuar për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

KZAZ-së numër 39 në Tiranë zhvilloi sot mbledhjen e parë, që është një nga 16 KZAZ-të e kryeqytetit. Krijimi i komisionit u ndoq nga anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi.

“Sot është një moment i rëndësishëm, pasi nisin punën komisionet e niveleve të dyta. Sot sekretari i komisionit merr në dorëzim materialet zgjedhore. Meqë kjo KZAZ është me numër tek, kryetari i takon opozitës. Ndaj në mungesë të saj, ftoj anëtarët të propozojnë zëvendëskryetarin që i takon subjektit politik, Partia Socialiste”, – tha Skënderi.

Sa i përket mungesës së anëtarëve të tjerë në KZAZ-në 39 që duhej të propozoheshin nga opozita, KQZ ka emëruar pas aplikimeve dhe përmes shortit një anëtar nga shoqëria civile.

“Pas problematikës së njohur, të mungesës së propozimeve nga opozita, KQZ pasi ka bërë thirrje publike, ka caktuar përmes shortit një anëtar kryesisht nga shoqëria civile për të bërë të mundur vendimmarrjen e Komisioneve Zonale. Në KZAZ 39 është caktuar znj. Irisa Bilbilaj”, – tha Skënderi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.