Tiranë-Elbasan, Qato: Më 17 maj rruga e kalueshme në të dy kahet

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Rruga Tiranë-Elbasan bëhet e kalueshme në të dy kahet e saj në mesin e muajit maj, pas 8 vitesh punime.

Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato dha lajmin e mirë sot, gjatë një interviste për ERTV, ku u shpreh se, “më 17 maj, mbyllim punimet në rrugën Tiranë-Elbasan, në një prej akseve kryesorë të infrastrukturës kombëtare, që ka qenë mjaft problematik dhe i tejzgjatur në punime, për shkak se si ishte hartuar kontrata”.

Qato shpjegoi se “më 14 mars ne hapëm njërin krah, ose korsinë e parë të rrugës Tiranë-Elbasan, nga TEG deri në kufi të rrethrrotullimit në Ibë, por ambicia jonë është që në datën 17 maj të këtij viti, ta përfundojmë të plotë këtë aks”.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) brenda vitit 2019 do të përfundojë investimet në disa projekte të rëndësishme në infrastrukturën kombëtare të nisur nga ARRSH me mbështetjen e buxhetit të qeverisë shqiptare, duke sjellë një realitet të ri në krijimin e infrastrukturës bashkëkohore me standarde rrugore sipas BE-së. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.