Salianji në gjykatë, Basha: Vendimi, nga “pengjet” e Vetingut

TIRANË, 12 prill /ATSH – I. Vata/ – “Veting publik për gjyqtarët dhe prokurorët që shkelin ligjin”, ka deklaruar sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një prononcim për mediet, menjëherë pas mbylljes së hetimeve dhe dërgimit në gjykatë të së ashtuquajturës dosja ”Babale”, ku i pandehur për kallëzim të rremë është marrë edhe ish-deputeti i PD, Ervin Salianji.

Kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh se “dëshmitari i rremë Alfred Alizoti ka pranuar të bëjë 1 vit burg për të mbrojtur kupolën e shtetit. Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka bërë publike për mediet fakte të rënda, sesi Agron Xhafaj bën trafik droge, zbuloi dëshmitarin e rremë Alfred Alizotin, që bën ndere për kupolën e korruptuar të shtetit”.

“Dëshmitari i rremë tregon përmasat e narkoshtetit si kurrë më parë. Në asnjë skandal tjetër shtetëror nuk është treguar më qartë se si funksionojnë të bashkërenduar me komandë politike, organet e ngarkuar me ligj e kushtetutë për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të çuar para përgjegjësisë penale shkelësit e ligjit si Agron Xhafaj, dëshmitarin e rremë Alizoti dhe së treti, më të rëndësishmit Taulant Balla, Nushi, Marko prokurorin Osmani, kupola e SHISH e përfshirë në këtë skandal, vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Veliu. Të gjithë  së bashku të kapur në përgjime zyrtare të prokurorisë, duke fabrikuar një dëshmitar të  rremë jo për të mbrojtur krimin shtetëror, por për të fabrikuar një çështje të rreme kundër gazetarëve dhe kundër anëtarit të  opozitës Ervin Salianji i cili për shkak të detyrës si sekretar i aksionit qytetar bëri të mundur atë që media se bëri dot, publikimin e dëshmisë tronditëse që detyroi, Giron Xhafaj të shkonte në qeli për të vuajtur dënimin, por që ndali hetimin për trafikun e drogës”,  tha ai.

Në vijim, Basha tha se kjo do të mjaftonte që prokuroria të niste urgjentisht hetimet për këtë vepër të rëndë penale, por prokuroria është pjesë e kësaj skemë të narko-shtetit, pjesë e kësaj skeme mafioze.

“Sot, prokurorët e çështjes dhe një gjyqtar, të tre pengje të Vetingut kanë pranuar që në vend që të nisin hetimet dhe të çojnë në gjyq çështje ku të pandehur nuk janë kriminelët, por denoncuesit e krimit”, tha Basha.

Në fund, Basha i bëri thirrje çdo gjyqtari dhe prokurori tjetër të mos dorëzohet “para presioneve të bandës në pushtet, por t’i bëjnë llogaritë me drejtësinë”.

“I gjithë ideali i Reformës në Drejtësi ishte t’i jepte fund dy standardit që mbron kriminelët të pushtetshmit dhe ndëshkon të pafajshmit dhe denoncuesit e krimit”, tha Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.