Projektet në infrastrukturën rrugore, në mbështetje të autostradës Adriatiko-Joniane

TIRANË, 12 prill /ATSH/- Investimet në infrastrukturë përveç rritjes së aksesit për qytetarët, mundësojnë ndërlidhjen mes shumë zonave të vendit, por sigurojnë edhe një ndërlidhje mes vendeve të rajonit.

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Sonila Qato tha se “qeveria shqiptare dhe ARRSH po punojnë për një projekt shumë të rëndësishëm kombëtar Adriatiko-Jonian dhe të gjitha projektet rrugore, që po zhvillojmë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore janë në mbështetje të këtij projekti madhor i cili do të lidh 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”.

“Në këtë kontekst, – vijoi Qato, – segmentet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, siç është bypass-i Fierit, që do të kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë sezon veror, bypass-i i Vlorës dhe ndërtimi i rrugës së re Delvinë-Kardhiq (që është sa panonamik, por edhe i lidhur me trashëgiminë kulturore), janë në mbështetje të projektit Adriatiko-Jonian”.

Jemi duke operuar njëkohësisht për të realizuar në kohë reale këto vepra, në mënyrë që në pranverën e vitit 2021, të gjitha këto vepra të jenë në përdorim të qytetarëve të vendit, përfundoi Qato. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.