Parametrat e sigurisë/ 78 procedime, 2 për organizmin e lotarive të palejuara

TIRANË, 12 prill/ATSH-A.Fortuzi/ – Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas. Sipas policisë, 9 janë arrestuar në flagrancë, 55 ndiqen në gjendje të lirë, 2 janë kapur dhe 12 janë ndaluar.

Po ashtu, policia njofton se janë ndalur 8 persona në kërkim, konkretisht: 2 në Tiranë, 1 i dënuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’’ dhe 1 i dënuar për 4 vepra të ndryshme penale; 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, të dënuar për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”; 1 në Korçë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, të dënuar për veprën penale “Vjedhja’’; 1 në Korçë i dënuar për veprën penale ‘’Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’’.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, 1 në qarkun Tiranë, 2 në Fier, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste, konkretisht: 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje’’, në qarkun Fier, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje’’ në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Dhuna në familje”, me 1 autor të ndaluar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, në qarkun Fier. Janë plotësuar 2 kërkesë – padi për urdhër mbrojtjeje të menjëhershëm.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 1 rast në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë ; 1 rast në Sarandë, me dy autorë të arrestuar dhe 5 raste të tjera, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 1 rast në qarkun Tiranë, 1 në Krujë, 2 në Dibër dhe 2 në Sarandë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Fier, ku autori është ndaluar.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 4 të lënduar. Janë evidentuar 3 drejtues mjeti nën efektin e alkoolit, ku 2 janë arrestuar në flagrancë dhe 1 është ndaluar.

Janë evidentuar 5 drejtues mjeti të pa pajisur me leje drejtimi, ku 1 është arrestuar në flagrancë dhe 4 procedohen në gjendje të lirë. Janë evidentuar 3 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Lezhë, ku autorët procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Krujë dhe Gjirokastër, ku autorët procedohen në gjendje të lirë. Për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, janë evidentuar 3 raste, 1 rast në qarkun Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 2 raste në qarkun Durrës, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Janë evidentuar 5 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.