Ndërhyrje për mirëmbajtjen e rrugëve, Qato: Siguri në prag të sezonit turistik

TIRANË, 12 prill /ATSH/- Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, tha sot se “falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore po investojmë në mirëmbajtjen e rrjetit rrugor specifikisht në 1200 km dhe 4 mijë km infrastrukturë rrugore që ka Shqipëria”.

Duke u ndalur në proceset e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor aktual në prag të sezonit turistik, me synim rritjen e standardeve infrastrukturore, Qato shpjegoi se “jemi duke mobilizuar jo vetëm autoritetin rrugor, por edhe kontraktorët që operojnë në infrastrukturë, që ata të rrisin sa më shumë potencialin e tyre në raport me mirëmbajtjen e rrugëve, plotësimin me komponentët si tabela, vijëzimet, reflektorët dhe gjeometrinë e nevojshme”.

Qato njoftoi se përmes Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore është punuar për të eliminuar pikat e zeza të sigurisë rrugore për mjetet dhe qytetarët.

“Nga veriu në jug të vendit, nga kufiri i Murriqanit dhe Hani i Hotit deri në Kakavijë, dhe nga Porti i Durrësit deri në Qafë-Thanë dhe Kapshticë, po ndërmarrim investimet për rritjen e standardeve në infrastrukturën kombëtare”- tha ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.