FOTO/ Rikonstruksion i shkollës “Jorgji Dilo” në Elbasan

TIRANË, 12 prill/ATSH/ – Viti i ri shkollor 2019-2020 do t’i gjejë nxënësit e shkollës “Jorgji Dilo” në Elbasan me një shkollë krejtësisht të re.

Bashkia e Elbasanit bën të ditur se është miratuar projekti për rikonstruksionin e kësaj shkolle, i cili është i domosdoshëm për kushtet në të cilat ky objekt ndodhet.

Financimi i përbashkët i bashkisë së Elbasanit dhe Ministrisë së Arsimit, do të bëjë të mundur që shkolla të përfundojë gjatë muajve të verës dhe të jetë gati në shtator për nisjen e vitit shkollor.

Bashkia sqaron se për shkak të numrit të madh të nxënësve, është e domosdoshme edhe shtimi i ambienteve të kësaj shkolle. Pra, përveç rikonstruksionit, shkolla do të shtohet me klasa të reja dhe me ambiente sportive. 

Çatia e ndërtesës do të prishet dhe do të zëvendësohet me çati të re, punimet elektrike dhe hidraulike, mekanike e sanitare po ashtu, do të ndërtohet sistemi i ngrohjes, shtrimi, dyer e dritare do të zëvendësohen; do të rikonceptohet muri rrethues dhe ambientet e jashtme. 

Palestra po ashtu do të plotësojë të gjitha standardet, duke bërë në këtë mënyrë që edhe një tjetër shkollë në Elbasan të jetë model për sa i përket infrastrukturës. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.