Xhaçka: Në Rinas jo dislokim i FA-ve, por i Policisë Ushtarake

TIRANË, 11 prill/ATSH/ – Ngjarja e ndodhur në aeroportin e Rinasit nuk e cenon sigurinë kombëtare.

Kështu u shpreh sot ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë një interviste televizive duke sqaruar edhe prezencën e trupave të Policisë Ushtarake në perimetrin e aeroportit “Nënë Tereza”.

Sipas ministres është detyrë e Shtabit të Përgjithshëm që sa herë cenohet infrastruktura ushtarake, të vërë në lëvizje Policinë Ushtarake.

“Është kompetenca e Shtabit të Përgjithshëm që të lëviz Policinë Ushtarake, sa herë që ka një cenim të infrastrukturës ushtarake, apo një cenim të operacionalitetit dhe gatishmërisë së strukturave ushtarake në funksion të misionit dhe punës që ato bëjnë. Nuk bëhet fjalë për cenimin e sigurisë kombëtare. Siguria Kombëtare është një term shumë i madh dhe i gjërë. Ne kemi pasur le të themi një cenim të perimetrit të aeroporitit, i cili është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe bën pjesë në atë që cilësohet si infrastrukturë kritike e Republikës së Shqipërisë, njëherësh edhe e FA-ve, pasi ne jemi pjesë integrale e aeroportit, ne ndajmë pistën e cila një pjesë e saj është infrastrukturë ushtarake. Ne kemi infrastrukturë ushtarake përgjatë gjithë aeroportit, dhe për sa kohë që ka pasur një cenim të operacionalitetit dhe të punës që bëjnë FA, sigurisht në një objekt të veçantë, ne ndërhyjmë. Nuk është prekur siguria kombëtare dhe nuk kemi të bëjmë me diçka të tillë. Siguria kombëtare përfshin shumë elemente. Kjo është një ngjarje e rëndë dhe për fat të keq është një ngjarje e përsëritur, nga e cila të gjithë aktorët duhet të nxjerrin mësimet e tyre”, – u shpreh Xhaçka.

E pyetur nëse është konsultuar me Presidentin Meta për këtë lëvizje, ministrja e Mbrojtjes theksoi se diçka e tillë nuk është e nevojshme, pasi nuk ka një ndryshim të nivelit të gatishmërisë dhe se nuk ka një dislokim të FA-ve, por të Policisë Ushtarake.

“Nuk kam nevojë që të konsultohem me Presidentin e Republikës për këtë vendim, pasi nuk kemi të bëjmë fare me asgjë që ka të bëjë me Kushtetutën apo me ligjet që kemi në fuqi. Nuk kemi një ndryshim të nivelit të gatishmërisë, nuk është se ushtria ka marrë në dorë rendin publik, nuk kemi marrë në dorë sigurimin e popullatës, nëse do të kishte qenë e tillë duhej ndërhyrja e Kuvendit dhe jo e Presidentit. Ushtria ka lëvizur si çdo operacion i vet, në mënyrë rutinë. Kemi një ligj të Policisë Ushtarake, që është në varësi të Shefit të Shtabit, dhe ligji thotë që është jo vetëm e drejtë, por është detyrë e Policisë Ushtarake që të mbrojë pronën shtetërore në administrim të FA-ve. Quhet polici ushtarake dhe nuk quhet ushtri, dhe kuadri ligjor për policinë ushtarake është i ndryshëm nga ia i FA-ve, nuk kemi një dislokim të Forcave të Armatosura për të cilat duhet të njoftonim Presidentin apo të merrnim miratimin e Kuvendit. Kemi kryer vetëm detyrën funksionale të Policisë Ushtarake, e cila ka për detyrë që të jetë forcë policore”, – theksoi ministrja Xhaçka.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.