Negociatat, Balla: Krenarë për supermbështetjen e vendeve anëtare të BE

TIRANË, 11 prill /ATSH-Gjergji Mima/ – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka nxitur Policinë e Shtetit që të vijojë të godasë me forcë çdo akt kriminal sikundër ka reaguar dy ditë më parë.

Duke iu referuar kërkesës së deputetit të opozitës, Ralf Gjoni për interpelancë javën e ardhshme me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për ngjarjen e ndodhur në Rinas, Balla tha se, deri javën e ardhshme kur të kemi interpelancën, rezultatet do të jenë të tilla që të falenderojnë për herë të parë punën e Policisë së Shtetit.

“Më pëlqen grinta e deputetëve të rinj të opozitës dhe e deputetit parafolës dhe shpresoj të jetë modeli i ri i një opozite funksionale po të kujtoj që në 18 muaj të deputetëve të vjetër të opozitës nuk patëm mundësinë të ndiqnim qoftë dhe një interpelancë të vetme. Do të sugjeroja ta bënit me 7 deputetë që të jetë interpelancë urgjente. Në emër të mazhorancës dua ta falënderoj dhe përgëzoj Policinë e Shtetit për reagimin pas shumë vitesh jo vetëm në kohë, por në një sulm me armë të rënda, Policia e Shtetit ka arritur të asgjësojë një prej kriminelëve, të ketë plagosur njërin syresh dhe të jeni të bindur që deri në javën e ardhshme rezultatet e Policisë së Shtetit do të jenë të tilla që të falënderoni punën e Policisë së Shtetit”, – tha Balla.

Duke folur për ecurinë e vendit në rrugëtimin drejt BE, Balla tha se, sot jemi një vend që aspiron të jetë pjesë e BE. Diskutojmë për aspiratën më të madhe tonën të integrimit europian.

“Sot diskutojmë se çfarë është bërë gjatë 2018 për aspiratën më të rëndësishme të shqiptarëve, atë të anëtarësimit në BE. Vendimmarrja e qershorit nuk varet më se çfarë do bëjë Shqipëria deri në qershor, por së pari, nga kontekstet brenda çdo vendi të BE dhe pas 26 majit në kontekstin e ri që do krijohet brenda PE”, – tha Balla.

Balla kujtoi se “në PE kur u votua rezoluta për Shqipërinë kemi marrë 459 vota eurodeputetësh përkundrejt rreth 200 vota kundër, pro hapjes së negociatave. Bashkë me Kreun e Kuvendit vijmë nga takimi i kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të BE. Vendet anëtare, parlamentet e tyre janë pro hapjes së negociatave pavarësisht baltës së baltaxhiut Lulzim dhe Monikë. Ne sot kemi supermbështetje të vendeve anëtare”.

Gjithashtu Balla theksoi se ka një kontekst kur në Europë po shtohen forcat populiste, teksa solli në vëmendje rastin e Francës dhe Holandës ku forcat populiste po fitojnë gjithnjë e më shumë terren.

Balla tha se “Komisioni Europian, Bashkimi Europian nuk bën ndarje mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Madje Shqipëria në të 5 prioritetet renditet shumë herë më mirë se Maqedonia e Veriut. Në prioritetin e administratës publike jemi shumë herë më mirë edhe sesa ato vende që sot janë në proces negociatash si Serbia dhe Mali i Zi”.

Balla theksoi se dialogu politik është esencial për rrugën drejt BE, por duhet edhe vullnet politik. Ai solli shembullin e vitit 2016 kur rrezikohej koalicioni qeveritar për kalimin e Reformës në Drejtësi.

“Në 2016 ishim të gatshëm të sakrifikonim edhe pushtetin për të kaluar Reformën në Drejtësi. E di mirë z. Gjoni, se ka qenë këshilltar i Metës, sesi rrezikohej koalicioni me LSI pasi nuk pranonin të votonin draftin e EURALIS dhe OPDAT me mbështetjen e SHBA dhe BE. Sot jemi në fazën përfundimtare të paketës së dytë të ligjeve dhe thirrja ime për ju është që të votojmë ligjet për Reformën në Drejtësi. Ditën e Europës ta festojmë me përmbylljen e të gjithë paketës së ligjeve”, – tha Balla.

Gjithashtu në lidhje me reformën zgjedhore, Balla tha se faza e parë e punës së Komisionit do të përfshijë rekomandimet e OSBE-ODIHR. “Do t’i kërkoja z. Gjiknuri që të fillojë punën e Komisionit. Jemi të hapur për çdo diskutim për zgjerim të objektit të Komisionit, por do të mbetemi tek objekti për përmbylljen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.