Lleshaj: Koncesionari dhe bankat s’kanë ndjekur udhëzimet dhe shqetësimet e Policisë

TIRANË 11 prill/ATSH – A. Fortuzi/ – Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë një interviste televizive, të enjten, u shpreh se koncesionari cedoi dhe janë në shkelje të ligjit dhe të gjithçkaje. “Unë mendoj se ky koncesion duhet të hiqet. Ka ceduar. Policia nuk është lajmëruar dhe unë flas vetëm në pikëpamje të sigurisë. Ky koncesionar ka treguar se nuk është një partner i denjë për të siguruar një zonë kaq të rëndësishme”, – tha Lleshaj.

Ministri tha se edhe bankat s’kanë ndjekur udhëzimin e Ministrisë së Brendshme. “Thasët e parave s’kanë pasur GPS dhe s’kanë pasur lëndën specifike për t’i bërë të pavlefshme, duke mos ndjekur udhëzimin e Ministrit të Brendshëm. Pasi udhëzimi i Ministrit të Brendshëm është zbatuar te Policia e Shtetit, por jo te bankat, pasi bankat s’kanë detyrim të pranojnë udhëzimin e Ministrisë së Brendshme, në dijeninë time… Për koncesionarin, ka shumë shkelje dhe Policia e Shtetit ja ka drejtuar shqetësimin koncesionit, por nuk ndryshoi sjellja”, tha Lleshaj.

Ministri theksoi se nuk jemi në kushtet e emergjencës kombëtare, por jemi para një incidenti, ndaj të cilët po marrim masa.

“Prania e ushtrisë nuk është e përhershme, pavarësisht se në aeroport ka akses dhe ka prani të ushtrisë. Ushtria ka dhe 10% të koncesionit sa i takon operimit aty, pasi ky aeroport është përdorur dhe për NATO-n”, vijoi Lleshaj.

“Kjo prani e forcave ushtarake do jetë deri në momentin kur të mos ketë më nevojë për këto forca ushtarake. Zoti Basha është futur në një qark kontradiktash të pafund. Unë s’e konsideroj fare. Në rastin konkret s’jemi në gjendje të jashtëzakonshme, as në gjendje lufte, prandaj nuk nevojitet vota e Kuvendit. Pastaj opozita nuk është në Kuvend, dhe flet për Kuvendin, e sulmon atë. Po ashtu opozita, këtej thotë jemi në gjendje emergjence, dhe këtej thotë pse futet ushtria, janë në kontradiktë. Ushtria atje ka dhe repartin e saj, ka dhe pjesën e saj të zonës së fluturimit. Ne zgjodhëm të ishte ushtria, që do ketë sigurinë në zonën përreth perimetrit të aeroportit, ndërsa policia ka zonën brenda tashmë”, tha Lleshaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.