Haxhi: Reformat, në shërbim të përmirësimit të klimës së biznesit

TIRANË, 11 prill/ATSH/ – Zv/ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi në prezantimin e Indeksit të Biznesit të Dhomës së Ekonomisë Amerikane të Tregtisë për vitin 2018 u shpreh se indeksi i biznesit për vitin 2018 ka ardhur në përmirësim, duke theksuar gjithashtu se politikat e ndërmarra kanë lehtësuar veprimtarinë e biznesit.

“Gjatë dy viteve të fundit ka pasur politika dhe veprime konkrete, që padyshim kanë ofruar shumë lehtësi për biznesin, shoqëruar kjo nga krahu tjetër dhe me një llogaridhënie të shtuar të agjencive shtetërore lidhur me çdo shërbim që ofrojnë. Paketa fiskale 2018 dhe 2019 kanë ofruar një seri lehtësish fiskale, për sektorët prioritarë (bujqësia, turizmi, TI), por edhe për biznesin e vogël, pavarësisht sektorit, duke e bërë Shqipërinë vendin me barrën fiskale më të ulët në rajon ndaj PBB (së bashku me Maqedoninë). Këto janë një tregues që politikat dhe aksioni i qeverisë ka një perceptim pozitiv nga biznesi. Viti që lamë pas ka qenë një vit i rëndësishëm në drejtim të reformimit dhe krijimit të kushteve të mëtejshme për një klimë më të mirë të biznesit, duke patur një rritje ekonomike nga më të lartat në rajon”, – u shpreh ai.

Sipas zv/ministrit treguesi i ndjesisë për tre muajt e parë të vitit 2019 tregon një përmirësim me 4,6 pikë nga fundviti 2018.

“Gjithashtu, bazuar në vrojtimin e biznesit dhe konsumatorit, treguesi i ndjesisë ekonomike për tre muajt e parë të vitit 2019 tregon një përmirësim me 4,6 pikë nga fundviti 2018”, theksoi ai.

Zv/ministri renditi edhe disa nga prioritet për vitin 2019, siç janë:

  • Përçimi i mëtejshëm i reformave rregullatore.
  • Mirëqeverisja në çdo sektor.
  • Përmirësimi i marrjes së shërbimit nga ana e qytetarëve si dhe bizneseve, duke synuar eliminimin e burokracive të panevojshme, monitorimin e tyre nëpërmjet platformave që sigurojnë transparencë dhe ulje të mundësive të abuzimit.
  • Konsultimi publik lidhur me çdo nismë për ndryshime të kuadrit ligjor dhe politikave ekonomike.
  • Nxitja e mekanizmave që ndikojnë drejtpërsëdrejti në nxitjen e investimeve, qoftë nga investitorët vendas, ashtu dhe të huaj.
  • Intensifikimi i përpjekjeve dhe fokusi i qeverisë për pajisjen e forcës punëtore me aftësitë e duhura në shërbim të nevojave të sektorit privat.
  • Rritja e Mekanizmave të Reagimeve të qytetarëve dhe bizneseve. /e.caushi/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.