Gjylameti: Frika më e madhe e opozitës është zbatimi i Reformës në Drejtësi

TIRANË, 11 prill /ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot se frika më e madhe e opozitës është zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe Vetingut.

Duke folur në Kuvend, Gjylameti theksoi se mazhoranca ka ndërmarrë reforma të guximshme. “Vendi ynë ka vijuar të bëjë progres të dukshëm në rrugën drejt Bashkimit Europian duke arritur rezultate të dukshme”.

Gjylameti tha se për fat të keq ky proces është tentuar të pengohet shpesh herë nga forca të jashtme dhe të brendshme. “Është e trishtë se si një forcë politike që ka drejtuar vendin, shkon kundër interesave të qytetarëve për të penguar vendin për të marrë hapjen e negociatave”, tha deputetja socialiste.

Gjylameti nënvizoi se, “shqiptarët nuk mund të besojnë më tek liderët e opozitës sepse ata kanë treguar se mund të bëjnë gjithçka vetëm për të destabilizuar vendin pasi e kanë të qartë se me votë të lire nuk mund të vijnë kurrë në pushtet. Ata tentojnë të minojnë me çdo kusht të ardhmen e Shqipërisë në BE. Frika më e madhe e opozitës është zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe i Vetingut”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.