Balluku: Koncesionari kinez kaloi limitet, nuk përmbushi masat e sigurisë në Rinas

TIRANË, 11 prill /ATSH/- Ministrja e Infrastrukturës dhe Transporteve, Belinda Balluku deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, “masat e marra nga koncesionari kinez kanë qenë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme, për sigurinë në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë (TIA).

Duke iu referuar ngjarjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, Balluku tha se, “ngjarja e 9 prillit është një ngjarje e përsëritur, por fatkeqësisht edhe më e sofistikuar nga keqbërësit në krahasim me herët e tjera, çka sjell cenimin e sigurisë kombëtare dhe saj ndërkombëtare, pasi aviacioni civil nuk ka kufi”.

Përsëris qëndrimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare, theksoi Balluku, për të zgjidhur një herë e përgjithmonë një problem madhor, të cilin e kemi trajtuar me kujdes dhe konform normave dhe rregullave që aviacioni kërkon.

“Fatkeqësisht gjetjet dhe detyrat që i janë lënë kompanisë koncesionare dhe këtu po i referohem vetëm periudhës nga korriku 2016, pas grabitjes së parë në pistën e këtij aeroporti kanë rënë në vesh të shurdhër. Masat e marra kanë qenë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme. Masat e marra nga koncesionari i “TIA” kanë qenë sa për të kaluar radhën dhe për të vazhduar qetësisht vjeljen e kësaj kontrate të gabuar që në gjenezën e saj. Kontratë kjo që nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë”, – tha ajo.

Ministrja Balluku bëri të ditur se, të ardhurat dhe taksa për pasagjerë prej 3 eurosh që kompania vjel nuk u përdorën për investime serioze për pasagjerët.

“S’po ndalem sot në detajet e kushteve të munguara në këtë aeroport, i vetmi aeroport ndërkombëtar për momentin, pasi “Kutia e Pandorës” është hapur dhe do të kemi kohë plot për të sqaruar mungesën e kushteve dhe detyrimeve për cilësinë e shërbimeve që kompania nuk plotëson. Këto të ardhura nuk janë përdorur as për të rritur sigurinë e aeroportit ashtu siç është kërkuar nga organet mbikëqyrëse. I vetmi investim që kompania kineze ka për zemër janë parkingjet. Ti shtojë ato dhe të vjelë fitime të lehta duke harruar cili është objekti kryesor i sipërmarrjes së tyre në Shqipëri”, deklaroi Balluku.

“Kjo është një çështje që duhet hetuar nga prokuroria përgjegjësit nuk do i nxjerrë as Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë as ndonjë ministri tjetër. Koha ka mbaruar për të toleruar koncesionarin kinez për të vazhduar e ndërtuar parkingje dhe të mos plotësojë parametrat e sigurisë. Cilësia në aeroportin e Rinasit do të ndryshojë, sepse ka ardhur koha që të investohet  edhe në shërbim sepse koncesionari po luan me këtë kontratë dhe nuk po e merr seriozisht”, tha Balluku.

“Ne kemi besuar tek dialogu dhe nuk kemi dashur të krijojmë kosto, por limitet kanë përfunduar. Keni dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Është një kontratë që ka penalizuar shtetin shqiptar. Këtu ku ndodhemi do të na duhet të duhet të dalim edhe jashtë rregullave. Kemi qenë të kujdesshëm për të mos marrë masa ekstreme, për të mos i krijuar penalitet shtetit shqiptar. Situata këtu ku është kërkon zgjidhje imediate”, vijoi ajo.

Balluku shtoi se “reagimi i djeshëm i koncesionarit që i tregon shtetit se si i ka plotësuar kushtet, është fyese për ne.  Janë marrë masa administrative 5 qind mijë lekë të reja”.

“Situata nuk ma lejon të ulem më me menaxhmentin e TIA-s, që ka treguar mungesë profesionalizmi. Për këtë situatë kam kërkuar të komunikoj me presidentin e koncesionarit kinez “China Everbright Limited”, i cili mbërrin sot në Tiranë”, tha Balluku.

/e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.