1236 persona nga komunitetet rome dhe egjiptiane u punësuan në 2018-ën

TIRANË, 11 prill/ATSH/ – Përfshirja e komuniteteve rome dhe egjiptiane në vendin tonë në programet e punësimit është një nga prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka publikuar disa foto nga aktiviteti “Sfidat dhe Mundësitë për Fëmijët dhe të Rinjtë Romë”, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2018 nga zyrat e punës, janë punësuar 1236 punëkërkues nga komunitetet rome dhe egjiptiane.

“Gjatë aktivitetit “Sfidat dhe Mundësitë për Fëmijët dhe të Rinjtë Romë”, ku ishte e pranishme dhe zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, theksi u vendos te integrimi i komunitetit Rom dhe Egjiptian në tregun e punës. Në fokus të nismave të ndërmarra nga Ministria e Financave është përfshirja e këtij komuniteti në të gjitha programet aktive të tregut të punës. Vetëm gjatë vitit 2018 nga ky target grup janë punësuar 1,236 punëkërkues me ndërmjetësimin e zyrave të punës”, shprehet Denaj.

Sipas ministres Denaj, rreth 527 nxënës të komunitetit rom për vitin mësimor 2018-2019 janë duke ndjekur shkollat e arsimit profesional dhe kanë mundësi që të fitojnë bursë.

“Për vitin mësimor 2018-2019 janë 527 nxënës të komunitetit Rom të cilët ndjekin Shkollat e Arsimit Profesional dhe kanë mundësinë të përfitojnë bursë. Ulja e shkallës së papunësisë si dhe rritja e nivelit arsimor të fëmijëve të këtij komuniteti, çka ndikon në parandalimin e përjashtimit shoqëror të tyre, mbetet prioritet i kësaj qeverie”, theksoi Denaj.

Nëpërmjet ndërmjetësimit të zyrave të punës, mijëra qytetarë shqiptarë kanë mundësinë e një pune duke rritur dhe zhvilluar ekonominë e tyre.

/e.caushi/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.