Reformat në Shqipëri, më të paprecedentat në rajon

TIRANË, 10 prill/ATSH/ “Shqipëria konsiderohet nga ndërkombëtarët, shtet që ka arritur nivelin më të lartë të reformave transformuese në historinë e saj dhe modeli i vendit tonë konsiderohet i vlefshëm për t’u eksportuar në rajon”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Në një intervistë për ERTV-në, Cakaj tha se “Shqipëria ka kryer reformat më të paprecedenta në rajon”.

Duke folur për vlerësimet e ndërkombëtarëve mbi progresin e Shqipërisë, Cakaj u ndal në dy suksese të vendit.

“Në aspektin e brendshëm, Shqipëria ka krijuar dy precedentë të rëndësishëm. Në vitin 2018, trendi i rritjes ekonomike të Shqipërisë ka qenë 4,2% ndërsa i rajonit 3,8%, çka tregon se rritja e Shqipërisë ka qenë më e lartë se vendet e tjera të rajonit”, – tha Cakaj.

Nga ana tjetër, ai theksoi se “reforma në Drejtësi ka rezultuar me një pastrim të thellë të gjyqësorit nga gjyqtarët që nuk plotësojnë kriteret profesionale ose morale dhe reforma sot konsiderohet model për t’u eksportuar në rajon”.

“Ndonëse vend kandidat, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që vepron në përputhshmëri të plotë me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian”, – tha Cakaj.

/m.m/j.p./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.