Pukë, mbështetje sociale dhe status jetimi për 4 fëmijët e mitur

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Për katër fëmijët e mbetur jetimë në Pukë kanë nisur procedurat për pajisjen me statusin e jetimit dhe identifikimin e një familjeje të përshtatshme që do t’i marrë ata në kujdestari. Pas fatkeqësisë që goditi familjen e tyre, ku nga zjarri që u shkrumboi banesën humbën jetën edhe prindërit, fëmijët po mbështeten nga strukturat e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Shërbimit Social Shtetëror.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi se këto struktura janë duke marrë masat e menjëhershme për menaxhimin e rastit.

Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në bashkëpunim me organizatat partnere dhuruan sot veshmbathje, pako ushqimore për këta fëmijë ndërsa u angazhuan për mbështetjen e familjes në vazhdimësi.

Sipas ministres Manastirliu, kanë nisur procedurat për pajisjen me status jetimi të 4 fëmijëve dhe ka nisur menjëherë identifikimi i një familjeje të përshtatshme që do të marrë në kujdestari 4 fëmijët e mitur jetim si zgjidhja më e mirë e mundshme.

Gjithashtu, edhe bashkia e Pukës 4 fëmijëve u ka caktuar një pension social si dhe ka marrë përsipër ndërtimin e shtëpisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.