Fleckenstein: Palmer në të njëjtin mendim me BE, reforma elektorale bëhet edhe në këto kushte

TIRANË, 10 prill /ATSH-Gjergji Mima/ – Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein vlerësoi sot ecurinë dhe progresin e Reformës në Drejtësi, të cilën e cilësoi si bazën për të gjitha reformat e tjera që janë kërkuar nga populli shqiptar dhe BE.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit mbajtur sot në Tiranë, Fleckenstein tha se “seanca e sotme ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh arritjet mjaft të rëndësishme në Reformën në Drejtësi. SPAK shumë shpejt do të konstituohet dhe Ministrja e Drejtësisë gjithashtu më ka thënë që do të kemi edhe kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Pra këto janë lajme mjaft të mira të cilat do të ndikonin në vendimin e qershorit. Reforma në Drejtësi është e rëndësishme, sepse përbën bazën për të gjitha reformat e tjera që janë kërkuar nga populli shqiptar dhe BE”.

Përveç kësaj, Fleckenstein u shpreh se “deklarata ime do të jetë mjaft e kujdesshme, pasi nuk dua të nxis më tej situatën e tensionuar që është në Tiranë. Tashmë e kam shprehur mendimin tim se çfarë po ndodh në parlament dhe nuk dua të shprehem më për këtë. Jam i kënaqur të mësoj se edhe zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer ka të njëjtin mendim sikurse edhe ne në BE”.

Fleckenstein e cilësoi si një sinjal pozitiv që Këshilli Kombëtar i Integrimit po vazhdon punën e tij, pasi, shtoi ai, “kemi nevojë për këto sinjale pozitive”.

Fleckenstein u shpreh optimist sa i takon progresit të Reformës në Drejtësi. “Duke pasur parasysh edhe një qeveri funksionale, e cila është mjaft e nevojshme dhe për progresin e Reformës në Drejtësi dhe kjo gjë është vëzhguar edhe rikonfirmuar edhe nga Ambasada amerikane, por edhe nga delegacioni i BE, mund të them që jam optimist”, tha ai.

Fleckenstein u shpreh se “dyert e PE janë të hapura si për qeverinë, për parlamentin, po ashtu edhe për PD”.

“Ju e dini më mirë se si mund ta gjeni zgjidhjen për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin. Edhe reforma elektorale mund të bëhet në këto kushte që jemi sot”, tha Fleckenstein. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.