Braçe: Ua kemi borxh shqiptarëve që t’i shpëtojmë nga praktikat korruptive në zyrat e shtetit

TIRANË, 10 prill /ATSH/ – “Qeveria është e angazhuar seriozisht dhe me vendosmëri të padiskutueshme për të garantuar përthithjen e prurjeve më të mira në administratën publike”.

Kështu deklaroi sot zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili drejtoi takimin e 8-të të Grupit të Posaçëm për Reformën në Administratën Publike së bashku me përfaqësuesin e lartë të Komisionit Europian, Georg Ziegler, zëvendësdrejtor i njësisë për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, pranë Komisionit Europian.

“Grupi i Posaçëm për Reformën në Administratën Publike është forumi kryesor i dialogut politik midis Komisionit Europian dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Synimi është i qartë: Një administratë publike e vogël, që kushton pak, e përputhur plotësisht në strukturë e funksione, pra funksionale, efikase, eficiente, e drejtë, e barabartë, e ndershme, duke automatizuar deri në fund, të gjithë procesin e rekrutimit, mbështetur fort tek merita, edukimi, profesionalizmi e përvoja dhe konkurrenca përmes tyre”, tha Braçe.

“Unë mendoj që ua kemi borxh shqiptarëve që prej 1991, partnerëve tanë ndërkombëtarë, por edhe të rinjve shqiptarë, të cilët duhet t’i shpëtojmë përfundimisht nga neglizhenca, mungesa e profesionalizmit, të pandëshkueshmërisë ndaj sjelljeve të padrejta e praktikave korruptive të hasura në gjithë këto vite në çdo zyrë të shtetit. Në emër të tyre, qeveria është e angazhuar seriozisht dhe me vendosmëri të padiskutueshme për të garantuar përthithjen e prurjeve më të mira në administratën publike”, u shpreh Braçe.

“Shumëkush në administratë publike e mendon veten sot të pazëvendësueshëm dhe nuk është i qartë mbi dallimin e meritës akademike e profesionale ndaj angazhimit politik të tyre. Kjo praktikë e reduktuar zëshëm nga qeverisja jonë, pa diskutim që do ketë vëmendjen e nevojshme deri në përmbylljen e plotë të saj. Në zyrat e shtetit nevojiten njerëzit më të përgatitur dhe që ofrojnë shërbim publik cilësor, pavarësisht kahjes politike”, u shpreh zv/kryeministri.

“Asnjë institucion nuk do të dojë dhe as do të tolerojë që të cenohet në vlerësimin individual apo edhe të riskojë reformën për shkak të një institucioni tjetër që nuk reagon, nuk ka vullnet, nuk ka dëshirë apo edhe nuk ka qëllimin e duhur e të nevojshëm në përmbushje të detyrimeve të marra. Thirrja këtu është shumë e qartë që kur konstatohen raste të tilla, të mos neglizhohet adresimi i tyre, pasi deklaroj prerë: Nuk do të tolerohet, nuk do të ndodhë asnjë vonesë apo mosrealizim për shkaqe subjektive! Nuk do të ndodhë! Dhe për këtë ju garantoj në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, tha Braçe.

Grupi i Posaçëm për Reformën në Administratën Publike është forumi kryesor i dialogut politik midis Komisionit Europian dhe Qeverisë shqiptare dhe tryeza e sotme merr një rëndësi të veçantë lidhur me opinionin e Komisionit Europian sa i takon hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE.

Në takimin, i cili përmban disa seanca morën pjesë ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Soreca, ministra të kabinetit qeveritar që mbulojnë fushat raportuese, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në vend, përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të përfshira në këtë proces, përfaqësues të shoqërisë civile, etj.

Gjatë seancave u diskutua mbi progresin në zbatimin e reformave të administratës publike, decentralizimit dhe menaxhimit të financave publike.

Gjithashtu në takim u diskutua gjerësisht në nivel teknik, mbi ecurinë e rekomandimeve të lëna në Progresraportin e fundit për Reformën në Administratën Publike.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.