Zv/ministrja Ikonomi: Nxitja e biznesit të huaj dhe vendas, prioritet i qeverisë për 2019

TIRANË, 9 prill/ATSH/ – Vazhdimi i mëtejshëm i reformave, konsolidimi fiskal dhe ndërmarrja e politikave nxitëse për biznesin vendas dhe të huaj janë disa nga prioritetet e qeverisë shqiptare për vitin 2019.

Shqipëria shënoi vitin e kaluar një rritje ekonomike ndër më të lartat në rajon, që dëshmon se viti 2018 ka qenë i rëndësishëm në drejtim të reformimit dhe krijimit të kushteve të mëtejshme për një klime më të mirë të biznesit.

Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi, ishte e pranishme sot në aktivitetin e organizuar nga DIHA dhe Ambasada gjermane, ku u prezantua anketa e bizneseve gjermane për klimën e biznesit dhe investimeve për vitin 2019.

Ikonomi vlerësoi angazhimin e DIHA-s dhe Ambasadës gjermane dhe u shpreh se rezultatet e anketimit do të analizohen më tej në takime konstruktive me përfaqësues të shoqatës gjermane, me qëllim marrjen e masave konkrete nga ana e qeverisë aty ku është e nevojshme.

“Pa dyshim që takimet e përbashkëta, anketimet e përfaqësuesve të kësaj shoqate, por dhe shoqatave të tjerave janë shumë të rëndësishme dhe të shëndetshme, me qëllim identifikimin e çështjeve që shqetësojnë biznesin, që në disa raste mund të jenë reale, por dhe në disa raste lidhen me çështje perceptimi dhe se si biznesi i shikon dhe i vlerëson veprimet e administratës, se si percepton zhvillimet politike në planet e veta afatshkurtra dhe afatmesme të tij dhe ekonomisë në përgjithësi”, – nënvizoi Ikonomi.

Viti që lamë pas, vijoi ajo, ka qenë një vit i rëndësishëm në drejtim të reformimit dhe krijimit të kushteve të mëtejshme për një klime më të mirë të biznesit, duke pasur një rritje ekonomike nga më të lartat në rajon.

Duke u ndalur te prioritetet për vitin aktual, zv.ministrja Ikonomi vuri theksin në nxitjen e mekanizmave që ndikojnë drejtpërsëdrejti në nxitjen e investimeve dhe në intensifikimin e përpjekjeve dhe fokusit të qeverisë për pajisjen e forcës punëtore me aftësitë e duhura në shërbim të nevojave të sektorit privat.

“Mirëqeverisja në çdo sektor, shoqëruar me tregues të qartë performance dhe realizimi objektivash nga çdo hallkë administrimi, nga ajo më e ulëta, deri te më e larta; Përmirësimi i marrjes së shërbimit nga ana e qytetarëve si dhe bizneseve duke synuar eliminimin e burokracive të panevojshme, monitorimin e tyre nëpërmjet platformave që sigurojnë transparencë dhe ulje të mundësive të abuzimit; Konsultimi publik lidhur me çdo nismë për ndryshime të kuadrit ligjor dhe politikave ekonomike; Nxitja e mekanizmave që ndikojnë drejtpërsëdrejti në nxitjen e investimeve, qoftë nga investitorët vendas, ashtu dhe të huaj; Intensifikimi i përpjekjeve dhe fokusi i qeverisë për pajisjen e forcës punëtore me aftësitë e duhura në shërbim të nevojave të sektorit privat si dhe rritja e mekanizmave të reagimeve të qytetarëve dhe bizneseve”, – theksoi Ikonomi.

Zv/ministrja u shpreh se “do të identifikojmë rezultatet e këtij anketimi lidhur me pritshmërinë e kompanive për vitin fiskal që sapo ka filluar, për të analizuar këto rezultate dhe për të vijuar më tej takime konstruktive me ju dhe çdo përfaqësues të shoqatës, me qëllim marrjen e masave konkrete nga ana e Qeverisë aty ku është e nevojshme”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.