Takimi në Vjenë, Balla: Mbështetje e fuqishme për vijimin e anëtarësimit të Shqipërisë

TIRANË, 9 prill/ATSH/ “Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një mbështetje të fuqishme në vijim të procesit të anëtarësimit në BE”, deklaroi sot nga Vjena, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një prononcim për mediat pas Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së në Vjenë, Balla tha se “kryefjala e këtij takimi ishte se procesi duhet të vijojë me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

“Pas mbështetjes së qartë të Parlamentit Europian, vlerësimit të komisionerit Hahn se në fund të majit progresi i hedhur deri tani nga Shqipëria përgjatë përmbushjes së prioriteteve kyçe që kanë të bëjnë me adresimin e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Europian, janë edhe 28 kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të BE të cilët në konkluzionet e takimit të mbajtur sot dhe dje në Vjenë, shprehin qartë mbështetjen në drejtim të vijimit të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Balla.

Ata nënvizojnë rëndësinë e hedhjes së hapave konkretë për secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha balla duke theksuar rëndësinë që ka për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE në qershor, sepse do të jetë Këshilli Europian ai që do të hapë dritën jeshile për këtë lloj procesi.

“Ajo që është shumë e rëndësishme dhe që u diskutua gjerësisht në këtë takim të drejtuesve më të lartë të parlamenteve të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian është pikërisht rritja e ndikimit të aktorëve të jashtëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht e Rusisë”, tha Balla.

Në këtë kontekst, ai theksoi se “iu kërkua Bashkimit Europian të luajë një rol më adekuat për të ruajtur vlerat e veta në rajonin e Ballkanit Perëndimor si edhe për të vijuar me procesin e anëtarësimit duke konsideruar vijimin e këtij procesi si një investim për paqe, siguri dhe stabilitet në këtë rajon”.

“Unë jam shumë krenar se një pjesë e rëndësishme e vendeve të Bashkimit Europian, pasi janë Parlamentet ato të cilat duhet të konsultohen domosdoshmërisht me qeveritë e tyre, mbështesin integrimin. Këtu kujtoj Gjermaninë, kemi pasur një bisedë të shkurtër por shumë frytdhënëse me kryetarin e Bundestagut gjerman Schäuble”, tha Balla.

Po ashtu, ai theksoi se “edhe Holanda është një prej vendeve anëtare ku Parlamenti do të konsultohet lidhur me marrjen e vendimit për fillimin e bisedimeve në qershor”. /m.m//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.