Shqipëria meriton hapjen e negociatave, leva më e rëndësishme e zhvillimit

TIRANË, 9 prill /ATSH/ – “Shqipëria meriton hapjen e negociatave që është leva më rëndësishme e zhvillimit”.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo theksoi sot në aktivitetin mbi liberalizimin e tregut energjetik me investitorët italianë se “qëllimi është hapja e një dialogu mes institucioneve dhe sektorit privat. Dje rihapëm tavolinën e energjisë që ka të njëjtin qëllim të mbledhë inputet e ndërmarrjeve italiane për t’i paraqitur në institucionet shqiptare. Mendojmë që Shqipëria meriton hapjen e negociatave që mendojmë se është leva më rëndësishme e zhvillimit. Më pas Shqipëria shumë arritje të tjera mund t’i bëjë gjatë periudhës së aderimit. Kështu që presim çeljen e negociatave”, tha ai.

“Përforcimi i ndërlidhjes energjetike rajonale, integrimi progresiv në tregun europian të energjisë elektrike, si dhe hyrja e Shqipërisë në skenën e ndërlidhjeve energjetike globale, në sajë të përfundimit të gazsjellësit TAP, përfaqësojnë njëkohësisht mundësi të mëdha dhe sfida gjithnjë në rritje që vendi mund t’i rrokë dhe t’i fitojë plotësisht vetëm duke përfshirë palët e interesuara, me një veprim të bazuar në respektimin e parimeve themelore si përfshirja, transparenca dhe respektimi i sundimit të ligjit”, tha Cutillo.

Ndërsa ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi deklaroi se, “Shqipëria ndodhet në një moment shumë të veçantë. Le të shpresojmë që do të jetë një vendim pozitiv i shumëpritur nga shqiptarët që jo vetëm do të njohë reformat e duhura të ndërmarra nga Shqipëria, por do të shërbejë dhe si inkurajim i mëtejshëm për atë që do të bëjmë”.

“Vetëm 5-6 vite më parë Shqipëria ishte në buzë të një krize financiare. Sot kemi një sistem energjetik që po konsolidohet, falë një ndryshimi në mentalitet dhe menaxhim me një vizion të qartë. Është reduktuar ndjeshëm numri i humbjeve në rrjet. Ndërkohë edhe arkëtimet janë rritur në masë të jashtëzakonshme 93%”, tha Shalsi.

Pra, shtoi ai, “duke parë se nga jemi nisur, jemi krenarë se çfarë kemi bërë, por ende shumë mbetet për të bërë. Nuk ishte vetëm reforma energjetike, por një sërë reformash që ndërmorëm, por edhe reforma në drejtësi. Sepse sado të reformohet vendi me reformën e territorit, atë arsimore, të pensioneve, duhej bërë reforma e drejtësisë. Vendosëm të rrëzonim një sistem të korruptuar dhe ta rindërtonim, sepse ky ishte vullneti i shqiptarëve”.

“Rritja ekonomike, krijimi i mundësive për punësim, s’do ishin të mundura nëse s’do ishin dhe investitorët e huaj. Jemi në një moment për të kaluar në një marrëdhënie me biznesin në një fazë të re për të modernizuar shërbimet e administratës dhe marrëdhënieve me biznesin për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të rritur thithjen e investimeve”, tha Shalsi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.