Palmer, takime me Bashën dhe Kryemadhin

TIRANË, 9 prill /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti sot në një takim zv.ndihmës Sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën, Matthew Palmer.

Në takim kryetari i PD-së Basha u shoqërua nga ish-deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi.

Pas takimit, Basha u shpreh se kishte pasur një bisedë të hapur dhe konstruktive. “Bisedë e hapur dhe konstruktive me Matthew Palmer mbi situatën: mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pandëshkueshmërinë, krimin, korrupsionin dhe krizën politike”.

“Përkushtim i përbashkët për demokraci, shtetin e së drejtës dhe mirëqeverisjen, si rruga e vetme për stabilitet dhe Shqipërinë në BE”, theksoi Basha.

Zv.ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën, Matthew Palmer zhvilloi edhe një takim me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Diskutuam për situatën dhe sigurisht që unë nuk jam e autorizuar që të flas për takimin. Z. Palmer shprehu opsionet e veta nga këndvështrimet e tij. Ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona. Sigurisht që përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në BE”, deklaroi Kryemadhi për mediet pas takimit.  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.