Ngjarja në aeroport, Balluku: Koncesionarit i ra sistemi i sigurisë, shteti do thotë një fjalë më shumë

TIRANË, 9 prill /ATSH/ – Nga Berlini ku gjendet për një vizitë zyrtare, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku reagoi ndaj ngjarjes së sotme në aeroportin e Rinasit.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet”, theksoi ministrja Balluku.

“Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq. Ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë. Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë”, theksoi ajo. 

“Fakti që aeroporti, njësoj si të gjithë aeroportet në Europë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak. Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit”, – deklaroi Balluku. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.