Lleshaj: Lufta ndaj krimit nuk ndalet, pavarësisht sulmeve nga zëdhënës partish antiparlamentare

TIRANË, 9 prill/ ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi sot ndaj akuzave të përfaqësuesve të opozitës në lidhje me ngjarjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit.

Lleshaj theksoi se edhe në momentin e një përplasjeje me armë të Policisë së Shtetit me një grup të armatosur kriminal, sulmohet policia.

“Edhe në momentin e një përplasjeje me armë të Policisë së Shtetit me një grup të armatosur kriminal, zëdhënësi/sekretari i një partie antiparlamentare sulmon Policinë!”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, thotë Lleshaj, të gjithë shqiptarët janë në krah të Policisë së Shtetit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe kjo luftë sipas tij nuk mund të ndalet nga askush.

Më herët, ishte sekretari i Përgjithshëm i partisë Demokratike, Gazmend Bardhi që akuzoi se “me vetëdije i hapet rruga grabitjeve me armë në zonën më të sigurt në vend (brenda perimetrit te sigurisë në Aeroportin e Rinasit)”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.