Kompensimi i fermerëve të qumështit nis nga 1 janari 2019

TIRANË, 9 prill/ATSH-Maela Marini/ Vendimi i qeverisë për kompensimin e fermerëve me 10 lekë për litër qumështi ka efekt paraveprues dhe kompensimi do të nisë për faturat e lëshuara nga data 1 janar 2019.

Kështu deklaroi sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi në një interpelancë me fermerët e sektorit të qumështit, të kërkuar nga këta të fundit përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al mbi problematikat në shitjen e këtij produkti.

“Qeveria ka vendosur që atë humbje të supozuar në fakt, që vinte nga ulja e çmimit të qumështit që ju ia shisni grumbulluesve apo fabrikave si rezultat i uljes së TVSH-së nga 20% në 6%, ta kompensojmë në 100 lekë të vjetra për litër”, tha Çuçi.

Çuçi siguroi se me këtë skemë kompensimi nuk do të ketë kufizime të numrit të lopëve për qumështin e dorëzuar.

“Mjafton të dorëzoni faturat e shitjes në agropikat dhe drejtoritë e bujqësisë, 35 në gjithë vendin dhe kompensimi do të bëhet menjëherë. Mjafton vetëm fatura për të marrë kompensimin, asnjë dokument tjetër veç faturës tatimore”, tha ministri.

Çuçi siguroi se “kjo mbetet e vetmja skemë që do të vijë direkt tek fermerët”./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.